14:10 / E Enjte, 30 Maj 2024 / MSH

Komisioni shqyrton Projektligjin për KPM-në

Komisioni i Pavarur për Media ka shqyrtuar disa propozime lidhur me plotësim e nenit 22 të Projektligjit për KPM-në.

Në takim janë përmendur disa elemente që do të duhej të përfshiheshin në këtë dokument, ndër to edhe që çdo i licencuar apo i regjistruar, obligohet që për çfarëdo ndryshimi të pronësisë apo aksioneve ta njoftojë me shkrim KPM-në.

Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ka qenë sërish shkak i përplasjes ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, përmendi nenin 42, rreth pronësisë së mediave që sipas ndërkombëtare tregon për ofrimin e transparencës për media.

“Mendojmë se tri elemente duhet t’i kushtohet vëmendje këtij neni: obligimet qe kanë të licencuarit, kemi kërkuar qe brenda ligjit të ketë transparencë për të licencuarit në lidhje me emrat e pronareve të drejtpërdrejtë”, ka theksuar ai.

Lidhur me propozimet e KPM-së, deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, ka theksuar se duhet shtuar edhe diçka e re në amendamentin e projektligjit.

“Mendoj se është një çështje që duhet të përfshihet në ketë amendament, me qëllim që pronaret përfitues të mos jenë kushdo që fondet e tyre t’u kalojnë përmes arkave fiskale, sepse dihet qe këto i ‘shpërlajnë’ mjetet e disa kompanive të cilat i shfrytëzojnë mediat, andaj propozoj e kam një paragraf t’i shtohet këtij amendamenti, pasi mendoj se kjo e plotëson atë: Në shërbim te pluralizmit medial pronarët përfitues nuk bëjnë të jenë ata që financat e tyre kapërcen përmes të ashtuquajturave parajsës fiskale”, ka deklaruar Muzaqi.

Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka thënë se në projektligj nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ekspertes së Këshillit të Evropës. Sipas tij, në përmbajtjen e tanishme është kapja e jo liria e mediave.

“Mund të them që ky projektligj nuk është i dëshirueshmi. Edhe në memorandumin që na është dërguar thuhet që ligji do të përafrohet me standardet e Këshillit të Evropës, por rekomandimet e ekspertes nuk janë marrë parasysh. Edhe shoqëria civile ka ngritur shumë shqetësime. Nuk e di nëse në Kuvendin e Kosovës ka pasë më shumë komente për një projektligj se ky”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, qëllimi nuk është që të ketë liri të medieve, por është qëllimi i kapjes.

“Unë nuk do të marrë pjesë në votimin e këtij projektligji”, ka shtuar më tej deputeti Shabani.

Mbledhja e këtij komisioni vazhdoi pa praninë e partive opozitare.