75 Mall Live Search
08:40 / E Premte, 10 Korrik 2026 / P M

Kompleksi i Ajatollah Ali Khameneit i kthyer në gërmadha pas sulmit ku mbeti i vrarë, Irani publikon për herë të imazhe të shkatërrimit të plotë

Mediat shtetërore iraniane kanë publikuar për herë të parë pamje nga brendësia e kompleksit të Ajatollah Ali Khameneit, duke treguar dëmet e mëdha të shkaktuara nga sulmi ajror amerikano-izraelit të muajit mars.

Videoja, që zgjat rreth 50 sekonda, shfaq grumbuj rrënojash, tavane të shembura, trarë mbështetës të deformuar dhe dyer të shkatërruara nga fuqia e shpërthimit.

Dëmet më të mëdha raportohen në Imam Khomeini Husseiniya, sallën brenda kompleksit ku zhvilloheshin takime zyrtare, ceremoni fetare dhe fjalime publike të udhëheqësit suprem.

Pamjet tregojnë ambientet e mbuluara nga dheu dhe mbeturinat, ndërsa pjesë të konsiderueshme të ndërtesës duket se kanë pësuar dëmtime të rënda.

Deri tani, dëmet në kompleks ishin dokumentuar vetëm përmes imazheve satelitore, pa u publikuar pamje nga brenda objektit.

Publikimi i videos përkon me vazhdimin e ditëve të zisë në Iran për Ajatollah Ali Khamenein. Në disa qytete të vendit janë organizuar tubime dhe procesione, ndërsa mijëra besimtarë morën pjesë në ceremonitë përkujtimore edhe në qytetet e shenjta shiite të Naxhafit dhe Qerbelasë në Irak, përpara zhvillimit të ceremonive të varrimit në Iran.

Gjatë disa prej ceremonive u raportuan momente tensioni, pasi pjesëmarrësit u përpoqën t’i afroheshin arkivolit, duke detyruar organizatorët të ndërhynin për të shmangur incidente.