21:22 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Komshiu ia kall bujtinat familjes kosovare, i kërcënon me vrasje (Foto)

Familja 11 anëtarëshe Bunjaku, nga fshati Bunjak i Komunë së Novobërdës që nga viti 2005 merren me turizëm rural. Përgjatë këtyre viteve kjo familje mirëpret turist nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe të huaj, të cilët përveç bukurisë së këtij vendi shijojnë edhe ushqimet tradicionale e mikpritjen që i bëhet nga kjo familje e cila të vetmin burim e ka nga fitimet e vogla që i bëhen përmes këtyre vizitave.

Por duket që dikush po dëshiron t’ua pengoi punën dhe t’i lë pa bukë. Kështu të paktën shprehet i zoti i shtëpisë, Xhemajl Bunjaku. Atij për të dytën herë me radhë komshiu po ia dëmton biznesin. Duke ia kallur bujtinat që i ka ndërtuar vet ai me duart e tij.

“Të premten komshiu ma ka kall njërën nga bujtinat më të mëdha që kam, e cila ka pasur 4 dhoma dhe 2 banjo. Kjo nuk është hera e parë, edhe në mars të vitit të kaluar i njëjti person ma ka kall një bujtinë tjetër, madje më ka kërcënuar dhjetëra herë”, ka thënë ai për Indeksonline.

Bunjaku pretendon se dëmet materiale që janë shkaktuar kapin shifrën e 15.000 euro. Ndërsa shton se rastin për kërcënim e ka lajmëruar në Polici, por deri tani nuk është ndërmarrë asgjë.

“Mu ka kërcënu me m’djegë dalëngadalë, madje edhe me më vra. Dhjetëra herë e kam lajmëru Policinë, por deri më tani asgjë. Tani lëndën e ka marr regjioni dhe po shpresoj se do ta gjejnë akterin. As unë nuk kam koment për të gjitha këto që po ndodhin. E ka dërgu një njeri tek unë dhe e kam porosit arsyen pse po e bën këtë gjë, ai u përgjigj se veç po i teket”.

Bunjaku thotë për Indeksonline se komshiu madje e ka kërcënuar atë edhe në sy të një polici, ndërsa kërcënim ka marrë edhe nga ky i fundit.

“Ai më ka premtu dhe më ka kërcënua me vdekje në sy të policit M.B. Edhe polici më ka provoku, më ka thënë që radhën e ka restauranti tani, ndërsa më ka quajtur mua dhe komandantin e stacionit titist”.

I shqetësuar me kërcënimet që po merr, por edhe me dëmet që po i bëhen, ai tregon se i është dashur që të anuloi aranzhimet që kishin bërë një grup turistësh në fund të këtij muaji, për shkak se nuk ka vend ku t’i pres./Indeksonline/B.R/