22:21 / E Premte, 12 Mars 2021 / OSH

Komuna e Ferizajt reagon ndaj autoriteteve hekurudhore pasi treni aksidentoi veturën

Pas një aksidenti që ndodhi sonte në Ferizaj, ku një veturë është goditur nga treni në Ferizaj, ka reaguar ashpër Komuna e Ferizajt.

Në një reagim të komunës në Facebook, thuhet se kryetari Agim Aliu disa herë ka kërkuar nga autoritetet hekurudhore për vendosjen e laurave përgjatë vijës hekurudhore, por një gjë e tillë sipas tyre nuk është bërë ende.

“Lidhur me aksidentin e sontëm ku një automjet është goditur nga treni, për fatin e mirë pa lëndime në njerëz dhe pa dëme të mëdha materiale, Komuna e Ferizajt njofton qytetarët se me kohë dhe me kërkesa të përsëritura disa herë, Kryetari i Komunës, Agim Aliu i është drejtuar autoriteteve hekurudhore për vendosjen e laurave përgjatë vijës hekurudhore që përshkon Ferizajn, në bazë të kompetencës dhe përgjegjësisë që ka kjo e fundit, por një gjë e tillë ndonëse me insistimin e vazhdueshëm të Komunës së Ferizajt, nuk është realizuar nga autoriteti hekurudhor”, thuhet në reagimin e komunës.

Sipas këtij reagimi, autoritetet përkatëse duhet të marrin përgjegjësi dhe të parandalojnë aksidentet e trafikut në atë pjesë.

“Është koha e fundit që autoritetet hekurudhore përgjegjëse të marrin veprimet që i takojnë me legjislacionin në fuqi dhe të parandalojnë aksidentet e mundshme. Qytetarët meritojnë të dijnë të vërtetën, kërkesën tonë të përsëritur tek përgjegjësit, gjersa mezipritja që të politizohet kjo çështje nuk i shërbejnë të vërtetës dhe interesit të qytetarëve”, thuhet tutje në reagim.

Komuna ka shpërndarë edhe kërkesën në formë elektronike drejtuar përgjegjësve të autoritetit hekurudho. të cilët për fatin e keq, nuk kanë ndërmarr kurrfarë veprimi në përmbushje të kërkesës sonë.