11:58 / E Premte, 26 Prill 2019 / indeksADMonline

Komuna e Gjakovës i dhuron 40.000 euro Vëllaznimit

Tifozë të nderuar, Ju dashamirë të Vëllaznimit. Sigurisht se jeni të informuar se dje, Asambleja Komunale e Gjakovës, morri vendim që të mbështes Klubin tonë me 40.000 Euro, për çka u jemi mirënjohës.

Me këtë rast falënderojmë të gjithë këshilltarët komunal që e përkrahen propozimin për mbështetjen financiare të Klubit tonë.

I falënderojmë edhe ata këshilltarë që me diskutimet e veta ishin kundër këtij propozimi, por më vonë, me rastin e votimit, mbase duke e kuptuar arsyeshmërinë e plotë të këtij propozimi, nuk votuan kundër.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se 40.000 Euro, për Komunën e Gjakovës, e cila për shkak të buxhetit të vogël po përballet me mjaft probleme financiare, është vlerë e konsiderueshme.

Megjithatë dëshirojmë të njoftojmë opinionin, e kuptohet edhe disa nga këshilltarët komunal, se në Kosovë, posaçërisht pas pranimit të FFK-s në UEFA e në FIFA, menaxhimi i një klubi të futbollit është bë shumë i kushtueshëm.

Aq i kushtueshëm sa që subvencioni prej 40.000 Eurove që u miratua dje nuk i mbulon as shpenzimet dymujore të Vëllaznimit.

Kështu më shumë se 80% të shpenzimeve të Klubit për këtë vit duhet t’i siguroi stafi menaxhues i Klubit, ku barrën kryesore e ka bart dhe vazhdon ta bartë kryetari i Klubit Agim Cana.