16:15 / E Martë, 21 Mars 2023 / MSH

Komuna e Vushtrrisë e demanton “kryetarin” paralel, thonë se pengesa në rrugë s’janë vendosur nga Lista Serbe

Kryetari i të ashtuquajturit organ i përkohshëm i Vushtrrisë që funksionon në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Milan Kostiq, ka thënë se me iniciativë të Listës Serbe, janë vendosur pengesa në rrugët e fshatit Prilluzhë, fshat ky i banuar me serb.

Ai ka njoftuar se pengesat janë vendosur “në të mirë të sigurisë së qytetarëve”.

“Me iniciativë të përfaqësuesve të Listës Serbe, në fshatin Prilušje janë instaluar policë të shtrirë. Fillimisht u siguruan vendet e rrezikut dhe muajin e ardhshëm do të vendosen në rrugë të tjera aty ku është nevoja”, ka shkruar ai.

Por realiteti po del të jetë krejt ndryshe. Ekonomia Online ka kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike në komunën e Vushtrrisë, Benjamin Shala.

Shala tha se investimi është bërë nga Komuna e Vushtrrisë dhe se banorët në atë pjesë nuk kanë dallime nga shqiptarët.

Ai shtoi se prioritet i tyre do të mbetet siguria e gjithë qytetarëve.

“Jo ato pengesa janë të vendosura nga Komuna e Vushtrrisë, e assesi nga Lista Serbe. Prioritet i joni është siguria e qytetarëve pa dallim etnie”, tha shkurtimisht ai.