12:28 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Komunat me numrin më te madh të premtimeve Vitia, Prishtina dhe Gjakova

Instituti GAP ka mbajtur sot konferencë për media ku ka prezantuar platformën elektronike e cila përmban të gjitha premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale 2017.

Jeton Mehmeti, drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, shpjegoi metodologjinë e hulumtimit dhe vlerësimit të përmbushjes së premtimeve. Sipas tij, premtimet janë nxjerrë nga programet zgjedhore të kandidatëve dhe nga debatet televizive. Megjithatë, disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë elektorale, prandaj edhe ka qenë e pamundur të evidentohet ndonjë premtim zgjedhor. Instituti GAP do të bëjë monitorimin dhe vlerësimin e përmbushjes së premtimeve të kryetarëve në mënyrë periodike në katër vitet e ardhshme.

Bekim Salihu, hulumtues i lartë në Institutin GAP, tregoi se gjatë fushatës për zgjedhje lokale 2017 kryetarët e tanishëm të komunave kanë dhënë gjithsej 888 premtime. Numri më i madh i premtimeve është dhënë në fushën e infrastrukturës me gjithsejtë 333 premtime, pastaj vjen fusha e arsimit me 126 premtime dhe fusha e shërbimeve publike me 100 premtime. Komunat me numrin më te madh të premtimeve janë Vitia, Prishtina dhe Gjakova.

Instituti GAP edhe në mandatin e kaluar ka monitoruar përmbushjen e premtimeve, ku nga 548 premtime të dhëna vetëm 283 premtime ishin përmbushur plotësisht.