Thaçi: Serbia po e luan rolin e viktimës, por s’mund ta fshijmë historinë
(I plotësuar)- Presidenti Hashim Thaçi para pjesëmarrësve në konferencën e sigurisë ka thënë se Serbia po e luan rolin e viktimës, por që historia i di krimet e serbëve në Kosovë.
“Unë nuk e kuptoj çka po mbron Vuçiq. Është e lehtë të luhet drama, e të luhet roli i viktimës. Por, nuk mund të shlyejmë historinë. E tërë bota e dinë që spastrimi etnik ka ndodhur nga ushtria, policia serbe në Kosovë. Vuçiq ende nuk e kupton që Kosova është sovrane dhe e pranuar nga mbi 100 shtete”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se edhe pse janë larg një marrëveshje me Serbinë, ka shpresa se një gjë e tillë do të arrihet, pasi ekziston vullneti për të biseduar.
“Mendoj se nuk është e lehtë të arrihet marrëveshja. Jemi ende larg, po besoj dhe shpresoj se do të ndodh. Armiqësitë janë të mëdha, por ende kam shpresa. Dhe pse e kam këtë shpresë? E kam sepse ekziston vullneti të ulemi dhe të bisedojmë. Se paku unë e Vuçiq bisedojmë. Ata që janë kundër dialogut dhe paqes, dojnë të ndërtojnë mure mes serbëve dhe shqiptarëve. Ne kemi qëndrime të ndryshme, por se paku bisedojmë mes veti. Në kemi kërkuar një marrëveshje finale dhe pranimin e Kosovës nga Serbia dhe sigurisht kjo nuk do të jetë dhuratë. Por, duhet të ekzistoj një kompromis, që do ta diskutojnë autoritetet e Kosovës dhe Serbisë, bashkë me BE-në”, ka deklaruar Thaçi.
Konferenca e Sigurisë, Thaçi ia përmend krimet e luftës Vuçiqit
Presidenti Hashim Thaçi bashkë me Presidentin e Serbisë janë panelistë në Konferencën e Sigurisë që po mbahet në Munih të Gjermanisë.
Thaçi para diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger ia ka përmendur krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Por, ai thotë se është koha për të ecur përpara dhe për të përmbyllur këtë konflikt, transmeton Indeksonline.
“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë komplikuar. Kemi probleme të vjetra njëqindvjeçare të armiqësisë dhe periudhës së freskët të luftës në Kosovën në vitin 1999. Ka pasur 20 mijë viktima të dhunës gjatë luftës në Kosovë dhe askush nuk është dënuar për këtë. Populli i Kosovës ka vuajtur shumë për shkak të spastrimit etnik”, ka thënë presidenti Thaçi./Indeksonline/