12:44 / E Martë, 14 Janar 2020 / indeksADMonline

Konfirmohet: Afati për anëtarët e ri të KQZ-së, 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shumë shpejt do ta ketë përbërjen e re të saj, kjo pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi sot subjektet politike për zgjedjen e anëtarëve të ri të KQZ-së.

Nga Zyra e presidentit i thanë IndeksOnlinet se ky është një njoftim teknik për t’i njohur partitë lidhur me dokumentet që duhet t’u bashkëngjiten propozimeve të tyre për anëtarë të ri të KQZ-së.

“Nuk është ftesë, për njoftim tërësisht teknik për grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë në Kosovë, të cilët mbajnë vende të garantuara në Kuvend, që propozimet/nominimet e tyre për anëtarë të KQZ-së të jenë të kompletuara dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi. Pra, në mënyrë të detajuar u është specifikuar se cilat dokumente duhet t’u bashkëngjitën propozimeve të tyre për anëtar të KQZ–së. Ky njoftim është bërë si pjesë e përgatitjeve për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga presidenti dhe është në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenet 61 dhe 62 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (GZ, Nr. 31, 15 qershor 2008), si edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO 58/19, ku në pikën 104 të këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtuese rikujton se anëtarët e KQZ-së nuk kanë mandat të caktuar kohor, ngaqë ai është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor “.

Më tej nga presidenca konfirmojnë se afati që partitë politike t’a dërgojnë emrat, është 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, përveç përjashtimeve të parapara në nenin 61, paragrafi 3, nënpragarfin (e) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, sqaron Zyra e Informimit të Presidencës”.

Kujtojmë se rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 27 nëntor të 2019-tës.

Indeksonline gjatë ditës së sotme ka raportuar se përbërja e re do të ketë 90% ndryshime pasi disa prej anëtarëve s’kanë mundësi të jenë në mandatin e tretë.

“Sikurse është rasti me anëtarët nga VV, PDK, KDTP…, ata i kane përfunduar nga 3 mandate”, thotë ky burim.

Përbërja e re në KQZ do të jetë:

Vetëvendosje 2

LDK – 1

PDK – 1

AAK – 1

NISMA – 1

MINORITETET – 4

Kryetarja KQZ – 1

Gjithsej, 11 anëtarë. /IndeksOnline/