21:23 / E Hënë, 06 Prill 2020 / indeksADMonline

Konfirmohet rasti i parë me COVID19 në Drenas

Janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me COVID19 në vendin tonë. Kështu numri i të infektuarve ka shkuar në 165.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërsa, sipas këtij njoftimi, tashmë edhe komuna e Drenasit del të jetë e prekur nga koronavirusi.

Ndryshe, nga data 08.02.2020 deri me 06.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.093 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 165 raste me 3 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese./Indeksonline