75 Mall Live Search
11:05 / E Mërkurë, 03 Qershor 2026 / MSH1

Konjufca dënon sulmet në Gjirin Persik: Kërcënojnë sigurinë rajonale

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmet e Iranit ndaj Kuvajtit dhe Bahranit.

Në një deklarim zyrtar, Konjufca tha se këto sulme kërcënojnë më tej sigurinë rajonale, transmeton IndeksOnline.

“Republika e Kosovës dënon fuqimisht sulmet e Iranit kundër Kuvajtit dhe Bahreinit. Këto sulme kundër shteteve sovrane kërcënojnë më tej sigurinë rajonale dhe minojnë përpjekjet e vazhdueshme drejt uljes së tensioneve dhe stabilitetit në Gjirin Persik.

Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Bahreinin dhe Kuvajtin, dhe me shtetet tona partnere në Gjirin Persik në mbështetje të paqes, sigurisë, lirisë së lundrimit dhe respektit për të drejtën ndërkombëtare” shkroi Konjufca në “X”.

Ministria e Jashtme e Kuvajtit raportoi se një person u vra si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa që goditën një terminal në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, më herët sot.

Garda Revolucionare e Iranit tha se kishte shënjestruar selinë e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane në Bahrein dhe një vend tjetër, pa e përmendur Kuvajtin.

Garda tha se e nisi sulmin si përgjigje të lëshimit të një rakete nga SHBA-ja, në dhomën e motorit të një tjetër tankeri nafte që përpiqej të arrinte në Iran pavarësisht bllokadës amerikane.