21:43 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Konjufca ngushëllon familjen Thaqi: Organet e sigurisë kanë dëshmuar se janë të gatshme të luftojnë krimin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen e policit të rënë në krye të detyrës, Sami Thaçit dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, për humbjen e familjarit, përkatësisht kolegut të tyre. 

 “Lajmi për rënien në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaçi, është i hidhur e pikëllues. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia, personale e njerëzore por edhe në emër të institucionit që përfaqësoj. Në këto momente bashkëndiejmë me familjarët e të ndjerit Sami Thaçit dhe me gjithë punonjësit e Policisë të Kosovës që humbën kolegun e tyre.

Po ashtu, shpresoj që të jenë jashtë rreziku e të përmirësohen shpejt policët e tjerë të plagosur, si dhe një fëmijë që po ashtu mora vesh se është lënduar gjatë ngjarjes.

Organet e sigurisë së Kosovës kanë dëshmuar në vazhdimësi se janë të gatshme të luftojnë krimin në vend, dhe rasti heroik i Sami Thaçit është një tjetër dëshmi se policët tanë janë në krye të detyrës, pa u trembur. Është koha që edhe shteti dhe institucionet tona të vihen në krye të detyrës dhe të japin ndihmën dhe mbrojtjen e nevojshme që të luftohen të gjitha veprimtaritë e dëmshme për shoqërinë e vendin, që nga krimi i rëndomtë e deri te korrupsioni i niveleve të larta, e që të vendoset më në fund drejtësia e dëshiruar nga populli”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca në telegramin e tij.​