13:31 / E Mërkurë, 22 Gusht 2018 / indeksADMonline

Konjufca: Vizioni i Haradinajt për prokurorin është me kallash në krah

Lëvizja Vetëvendosja ka mbajtur një konferencë për media, në lidhje me kërcënimet të cilat po pretendohet se i janë drejtuar prokurorit tashmë të dorëhequr, Elez Blakaj.

Shefi grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i ka konsideruar këto kërcime si terror i pashembullt.

“Kjo që ndodhi me prokurorin special tregon që në Kosovë ekziston një terror i pashembullt, i pushtetit i drejtësisë. Që tregon se njerëzit që janë kompetent për të ndjekur krimin e organizuar janë ata që nuk mund ta kryejnë punën e tyre për shkak të pushtetarëve.” është shprehur Konjufca.

Sipas tij, vetë deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tregojnë më shumë për vizionin e këtij të fundit se si duhet të jetë një prokuror.

“Ti thuash prokurorit pse ke ik prej luftës apo hajn i pulave, kjo tregon për vizionin që e ka kryeministri për sistemin e drejtësisë, kjo është e pafalshme. Pra, vizioni i kryeministrit qenka një prokuror me kallash në krah.” tha Konjufca.

Madje, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vetë deklarata e Haradinaj ngjan me vet telefonatat kërcënuese.

“Ato që i tha Kryeministri Haradinaj për prokurorin Blakaj mua mu duk që tingëllonin bash si ato telefonat kërcënuese.”/Indeksonline/