08:54 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Konservatorët fitojnë zgjedhjet, në Britani të Madhe

Rezultatet e fitores i bënë të ditura televizionet britanike, BB dhe Sky News të premten në orët e para të mëngjesit. Që të enjten në mbrëmje u qartësua fitorja e konservatorëve të Toryt. Megjithatë shpëndarja përfundimtare e vendeve në Parlamentin britanik nuk ka përfunduar.

Sipas rezultateve të deritashme të numërimit në 600 nga 650 zona zgjedhore, konservatorët arritën të merrnin 328 vende në Parlament, duke kaluar kështu kufirin e shumicës absolute. Një prognozë e institutit të opinionit, “Ipsos Mori” thotë, se në fund konservatorët mund të marrin 368 vende. Ky është rezultati më i mirë i konservatorëve që prej disa dekadash.

Shumica absolute ia mundëson kryeministrit, Boris Johnson që të kalojë në parlament marrëveshjen e negociuar së fundmi me BE. Me këtë Britania e Madhe sipas të gjitha gjasave do të dalë nga Bashkimi Europian më 31 janar. Para përkrahësve ai u shpreh se qeveria e tij ka marrë një “mandat të fuqishëm për ta përfunduar Brexit”. Ai premtoi se “do ta çojë vendin përpara dhe do të fokusohet tek prioritetet e popullit britanik.

Jeremy Corbyn largohet

Humbëse e madhe e zgjedhjeve është partia laburiste e Jeremy Corbynit. Sipas të dhënave paraprake, kjo parti mund të kapë vetëm 191 vende në Parlament, duke humbur kështu 71 mandate që i kishte në Parlamentin e mëparshëm. Corbyni ka paralajmëruar ndërkohë largimin si kryetar i Partisë Laburiste. Në një prononcim të parë, ai tha se është një natë zhgënjyese për laburistët, dhe se nuk do ta drejtojë më partinë në fushata të ardhshme zgjedhore. Edhe liberalët të pozicionuar për qëndrimin në BE nuk patën rezultate të mira në zgjedhjet e 12 dhjetorit.