19:27 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kontributi i Presidentit George H. W. Bush në parandalimin e luftës së parakohshme në Kosovë

Shkruan: ARBËR HADRI, Historian

Qëndrimi dhe kontributi i Presidentit George H.W. Bush në trajtimin më domethënës të çështjes së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirjes së saj në interesat e politikës së jashtme amerikane dhe në parandalimin e luftës së parakohshme në Kosovë, janë atribute të jashtëzakonshme në historinë më të re të Kosovës dhe në marrëdhëniet me Aleatin tonë më të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Presidenti George H.W. Bush ishte një ndër burrështetasit më të mëdhenj Amerikan që me veprimet e tij është shënuar me shkronja të arta në parthenonin e historisë kombëtare Shqiptare dhe të Kosovës. Gurrë themeli i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit Shqiptar të nisura nga Presidenti Villson, u vazhduan nga Bushi i Vjetër me parandalimin e luftës së njëanshme ndaj Kosovës dhe u vazhdua nga Presidenti Klinton dhe Bushi i Ri.
Paralajmërimi i “Kërshëndellave” i Presidentit Bush i Vjetër në dhjetor të vitit 1992, me shqiptimin e “Vijës së Kuqe” ndaj Serbisë për mos kalimin e linjës me zgjerimin dhe fillimin e luftës në Kosovë, nënkuptonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të gatshme të përdorin forcën ushtarake nëse Serbia zgjeronte luftën në Kosovë. Ky kërcënim diplomatik për mos hapjen e një fronti të ri ushtarak në Kosovë dhe Maqedoni, shënon edhe vijën kryesore të politikës së jashtme amerikane kundruall proceseve politike në rajon e rreth Kosovës. “Vija e kuqe” mbeti në fuqi dhe u ritheksua edhe nga Administrata e re Amerikane në ardhje.
Arritja deri në këtë pikë e politikës së jashtme e SHBA-së gjatë Presidencës së George H. W. Bush ishte një sfidë në vete, pësoi ndryshime dhe u ndikua nga një sërë faktorë. Pjesë e këtij konstelacioni ishte roli i Amerikës si Superfuqi e vetme e ngelur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në krijimin e rendit të ri Botëror pas Luftës së Ftohtë, situata në Kosovë, mbijetimi i Federatës Jugosllave dhe rrethanat e përgjithshme të shteteve në tranzicion të Evropës Juglindore.

Qëndrimi Amerikan ndaj çështjes së Kosovës gjatë kohës së Presidencës së Bushit të Vjetër mund të përmblidhet në dy etapa kryesore: 1. Periudha e parë 1989-1991 që karakterizohet me definimin e politikës së jashtme amerikane në Evropën Juglindore, dënimin e suprimimit të mëvetësisë së Kosovës, rikthimin e të drejtave të plota të popullit shumicë dhe pozitës e të drejtës së votës së Kosovës në Presidencën Federale të Jugosllavisë; 2. Periudha e dytë përfshinë vitin 1992 që shënon qasjen më aktive Amerikane ndaj Ballkanit dhe veçanërisht në masat fillestare për ndaljen e luftës në Bosnjë dhe parandalimin e zgjerimit të konfliktit në Kosovë.

Viti 1989 shënon fillimin e shembjes së perdes së hekurt dhe vizionin e politikës së jashtme amerikane për Evropën “Kontinent i cili është i plotë, i lirë dhe në paqe”. Objektivat e SHBA-së në Evropën Lindore si tërësi, duke përfshirë shtetet e bllokut socialist e të satelitëve të Bashkimit Sovjetik, ishin aspiratat për liri, prosperitet dhe vetëvendosje. Si pikë themelore e politikës amerikane për realizimin e këtyre qëllimeve, ishte që aspirata e një Evrope të lirë, duhej të jetësohej nëpërmjet çlirimit nga okupimi Sovjetik i Evropës Qendrore dhe Lindore. Përfshirja e Kosovës dhe Evropës Juglindore në planifikimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike të politikës së jashtme të SHBA-së, hyn në skenë në kuadër të interesit të saj ndaj Eurazisë dhe sistemit global nën influencën amerikane. Qëndrimi amerikan ndaj çështjeve ndërkombëtare në shpërthim, përkonte me një ngurrim fillestar për përfshirje më aktive në zgjidhjen e çështjeve akute, sikurse ajo e Federalizmit Jugosllav në pikëpyetje dhe i konflikteve në horizont, Bosnjës, Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Mëvetësia dhe sovraniteti domethënës i Kosovës ishte një pengesë për Millosheviqin, që shërbeu në fund si sfond për ndryshimet e reduktimin me dhunë të Kushtetutës së Kosovës në vitin 1989, si dhe në nivel Federal e Republikan. Ndryshimet i dhanë Serbisë një përfaqësim dominues në Federatë duke kontrolluar punën e tij, organizimin e mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme, votën në nivel Federal të Kosovës, me ç ‘rast u krijua një sistem fiktiv Federal që mbizotëronte ndaj të gjitha njësive të tjera dhe e bëri të pamundur funksionimin e Presidencës unike, që rezultoi edhe me mos pranimin e saj nga ana e SHBA-ve.

Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara gjatë Presidencës së Bushit të Vjetër kishte një qëndrim për mos lejimin e përsëritjes së konfliktit në rajon, duke marrë parasysh historinë e dhunshme të Evropës Juglindore që nga Lufta e Parë Botërore, si dhe konflikteve të armatosura dhe vuajtjeve të mëdha njerëzore me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Qëndrimi i SHBA-së në lidhje me situatën në Kosovë kushtëzohej nga pozita e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe u orientua në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës dhe ekuilibrit politik të Federatës. Kërkohej që situata në Kosovë të rikthehej si para ndryshimeve kushtetuese në raport me Serbinë dhe Federatën Jugosllave. Pikëpamja e prerë amerikane ishte se autonomia dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë duhet të kthehen në plotësi, duke përfshirë edhe pozitën e saj në Federatën Jugosllave, të drejtat e njeriut të respektoheshin fuqishëm si dhe me mjete paqësore të arritët një zgjidhje politike.

Rrethanat politike të brendshme në Kosovë që përkrahnin një politikë paqësore ndikuan në krijimin e qëndrimit pozitiv të politikës amerikane ndaj saj. Politika e rezistencës paqësore për pavarësinë e Kosovës pas suprimimit të mëvetësisë së saj, karakterizohej nga një unitet i përgjithshëm politik i vizionit për liri e pavarësi i bazuar në tri shtylla kryesore: institucionalizimi dhe ndërtimi i shtetit në rrethana të okupimit ushtarak, rezistenca paqësore si mjet për realizimin e qëllimit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht të përkrahjes së SHBA-së. Përcaktimi në atë stad i kësaj qasjeje të shqiptarëve të Kosovës, për një luftë politike me masa demokratike paqësore, ishte një imperativ i konstelacioneve të forcave në teren duke marrë parasysh rrethanat okupuese dhe raportit të forcave ndërmjet një shteti policor e ushtarak sikurse ishte Serbia, si dhe të një mundësie të ndërmarrjes së një ofensive të përgjithshme ushtarake ndaj Kosovës. Futja nën sqetull të saj të territoreve të tjera në Jugosllavi, ku jetonin popullatë serbe sikurse në Slloveni, Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë ishte synimi i Serbisë. Ky demonstrim ushtarak, sipas planifikimeve serbe do të parandalonte shpërbërjen e Jugosllavisë.

Pikëpamja kundër heqjes së mëvetësisë politike dhe shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë, përveç qëndrimit të Administratës, kishte mbështetjen edhe të Kongresit Amerikan e udhëhequr në këtë çështje nga Senatori Bob Doll dhe Kongresmenët Joseph Diogardi, Tom Llantosh, Benjamin Gilman, Alfonse D’amato, Joe Biden, John McCain, Eliot Engell, Grupi Kongresional i Çështjeve Shqiptare, Susan Molinari, Sue Kelly, John Porter, Wiliam Broomfild etj. Kontribut të madh në lobimin për përkrahjen e çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan dhe në kollaret e krijimit të politikës së jashtme Amerikane, ka dhënë mërgata shqiptaro-amerikane. Veprimtaria e Kongresit ndihmoi në formësimin e interesave dhe të drejtimit të politikës së jashtme të Administratës, duke e pasqyruar rastin e Kosovës në Vashington. Disa rezoluta të paraqitura në këtë periudhë në Kongres reflektuan nevojën për të ndaluar shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, kthimin e vetëqeverisjes dhe të drejtën për vetëvendosje.

Kontribut të madh në lobimin për përkrahjen e çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan dhe në kollaret e krijimit të politikës së jashtme amerikane, ka dhënë mërgata shqiptaro-amerikane, me ç ‘rast zëri i Kosovës filloi të dëgjohet dhe u realizua sensibilizimi ndërkombëtar i çështjes së Kosovës, e cila ishte një arritje e domosdoshme drejt rrugëtimit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Zëri i shqiptarëve përfaqësohej nga pjesëtarët e mërgatës: Xhim Xhema, Harry Bajraktari, Rrustem Geci, Prof. Sami Repishtin, Zef Balaj, Agim Karagjozi, Dino Asanaj, Lumi Hadri, Bruno Selimaj, Rexhë Xhaklin, Nazar Mehmeti, Agim Rexhaj, Ilir Zherka, Elmi Berisha, Naim Dedushaj, Avni Mustafaj, Florin Krasniqi, Din Dertin, John dhe Sergio Betiçi, Shaqir Gashin, Osman Osmanin, Shirley Cloyes DioGuardi, Agim Aliçkaj, Salih Nezën, Rrustem Geci, Ekrem Bardha, Antonio Athanas, si dhe shumë të tjerë; organizatat “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, “Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan”, “Dega e LDK-së në New York-SHBA”, “Gazeta Illyria”, “VATRA”, më pas “Vendlindja Thërret”, “Bataloni Atlantiku”, kontribuan në forma të ndryshme në përkrahjen e çështjes së Kosovës nga ana e SHBA-së.

Shpërthimi i luftës në Bosnjë, shpërfaqi fytyrën e vërtetë të Millosheviqit dhe hegjemonizmit të tij nëpërmjet shkatërrimit të Jugosllavisë, masakrave e spastrimit etnik, me ç‘rast këto akte vunë politikën amerikane para një veprimi më aktiv parandalues edhe ndaj çështjes së Kosovës. Ky qëndrim mbërthehet në një veprim parandalues për mos eskalimin e luftës, që do të shkaktonte një situatë të pakontrolluar në rajon dhe më gjerë duke destabilizuar Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Turqinë e Greqinë, e që do të prekte direkt edhe NATO-në, e me këtë edhe interesat qenësore të SHBA-së. Me qëllim të mbizotërimit të paqes në rajon, SHBA-të përkrahnin një strategji të integruar me Aleatët për ndaljen e luftimeve dhe paqen në Bosnje si një veprim i domosdoshme për ruajtjen e nevojës së ekzistimit të këtyre mekanizmave ndërkombëtar, si dhe përmbajtjen e konfliktit dhe ndalimin e zgjerimit të tij në Kosovë.

Në pjesën e dytë të vitit 1992 me përshkallëzimin e luftës në Jugosllavinë e shkatërruar, nevoja për një përfshirje të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar konfliktin, ishte më se evidente. Politika e jashtme ishte një temë edhe në fushatën presidenciale, e cila u mbajt atë vit. Pozita e fortë e Presidentit Bush pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, fundit të Luftës së Ftohtë, Luftës së Gjirit dhe klimës relativisht të qetë në Lindjen e Mesme, ishte në rishqyrtim me temën e re të luftës në Jugosllavi, pozicionin vëzhgues të SHBA-ve dhe presionin medial lidhur me ndaljen e mizorive të luftës. Kjo situatë nxiti nevojën për një rol më aktiv të Administratës Amerikane në Evropën Juglindore, duke marrë parasysh edhe pozicionin e kandidatit presidencial Klinton, i cili mbështeti një angazhim Amerikan për të zbatuar zonën e ndalim fluturimit në Bosnjë, pozitë më agresive në lidhje me sigurimin e ndihmës humanitare, sanksioneve dhe shqyrtimin e heqjes së ndalimit të furnizimit me armë për Boshnjakët.

Informimi direkt i Presidentit Bush lidhur me gjendjen në Kosovë në këtë kohë, ishte i një rëndësie të veçantë. Takimi i Presidentit Bush me Presidentin e Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, ka qenë një mundësi e shfrytëzuar në këtë kuptim. Transkripti i pjesërishëm i bisedës në “Dhomën Ovale”, pasqyron prezantimin e Presidentit Berisha fillimisht për ndjenjat miqësore të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vizitës së Sekretarit të Shtetit Bejker në Shqipëri. Presidenti Bush, në këtë kohë kishte nënshkruar dhe dërguar për miratim në Kongres aktin legjislativ të marrëveshjes për preferenca ekonomike të SHBA-së ndaj Shqipërisë, që e potencoi me krenari në këtë takim presidencial, si dhe veprimin e lobimit e inkurajimit të Kongresit për shtyrjen përpara me shpejtësi të kësaj iniciative ligjore, përkundër faktit që nuk parashihej ndonjë polemikë apo kundërshtim. Në lidhje me Kosovën, Presidenti Berisha paraqiti falënderimin për qëndrimin e SHBA-së ndaj rrjedhave në Ish Jugosllavi, e veçanërisht për masat parandaluese ndaj eskalimit në luftë të situatës në Kosovë e regjione të tjera, me deklaratat mbrojtëse të Sekretarit të Shtetit Bejker në Londër. Presidenti Bush, theksoi “dëshirën e madhe të SHBA-së për ndihmë, si dhe gatishmërinë për të shqyrtuar më detajisht çështjen e Kosovës, qëndrimet e Shqipërisë si vend në fqinjësi dhe që preket shumë nga kjo çështje, si dhe pastaj në këto kondita të vlerësohet çështja e Kosovës”.

Në muajt pasues të gjysmës së dytë të vitit 1992, Presidenti Bush doli me një sërë deklarata, qëndrime e vërejtje lidhur me Kosovën e Bosnjën, si dhe për nevojën për masa në parandalimin e konfliktit. Në këto paraqitje u pasqyrua shqetësimi i madh i tij për krizën në Jugosllavi “Amerikanët janë thellësisht të trazuar nga lufta mizore në Bosnje dhe ish Jugosllavi”, u dënua fuqishëm përdorimi i dhunës në ish-Jugosllavi dhe vuajtjet e shkaktuara mbi popullsinë civile dhe dëbimin me forcë të grupeve etnike, që jetonin në vendet e tyre. Në kontekst të parandalimit të konfliktin nga përhapja në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, ju bë thirrje lidershipit serb që të “respektojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të plotë, që të përmbahen nga represioni i mëtejshëm në Kosovë, si dhe të angazhohen në një dialog serioz me përfaqësuesit e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të një statusi politik të Kosovës”.

Presidenti Bush i Vjetër u zotua për një diplomaci parandaluese amerikane për të penguar një zgjerim të konfliktit në Kosovë, Vojvodinë, Sanxhak, apo Maqedoni, duke propozuar misione të vazhdueshme të monitorimit në këto vende për të siguruar një prani ndërkombëtare dhe të pengojnë dhunën e abuzimet e të drejtave të njeriut. Presidenti Bush, ritheksoi nevojën për të ngritur një prezencë ndërkombëtare në Kosovë, duke vepruar në bashkëveprim me Kombet e Bashkuara, Komunitetin Evropian, dhe Aleatët e tjerë, si dhe duke vazhduar përpjekjet e SHBA-së për monitorimin nga afër të situatës në Kosovë. Po ashtu, ishte qëndrimi i SHBA-së se duhej të përmbahej konflikti dhe të parandalohej shtrirja e tij edhe në vendet e tjera fqinje sikurse Shqipëri, Hungari, Bullgari, Rumani dhe Greqi. SHBA-të përkrahin një strategji të integruar me Aleatët për de aktivizimin dhe përmbajtjen e konfliktit dhe zgjerimin e tij, me qëllim të mbizotërimit të paqes në rajon.

Në përfundim të mandatit presidencial të George H.W. Bush, në Kamp Dejvid më 20 Dhjetor 1992 u realizua takimi i përbashkët për ish-Jugosllavinë, me Kryeministrin John Major të Mbretërisë së Bashkuar. Ky takim u pasua nga një Konferencë e përbashkët e shtypit, që prodhoi edhe një deklaratë duke rënë dakord në objektiva të përbashkëta të politikës së SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, lidhur me rajonin dhe Kosovën. Kjo qasje e re konsistonte në veprim të përbashkët për një zgjidhje paqësore dhe të drejtë në ish-Jugosllavi; “parandalimin e përhapjes së luftimeve, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoni”; si dhe ruajtjen e ndihmës humanitare e cila përfshinte mbështetjen e 2000 trupave britanike. Presidenti Bush dhe Kryeministri Major, gjithashtu ranë dakord të miratojnë masa të rrepta për të penguar dhe parandaluar përhapjen e luftës në Kosovë dhe Maqedoni; miratuan vendimin për dërgimin e trupave të OKB-së në Maqedoni dhe për të rritur numrin e tyre; të bëjnë presion për rritjen e shpejtë të numrit të vëzhguesve në Kosovë; gjersa sanksionet do të vareshin nga ndryshimi i menjëhershëm dhe rrënjësor i politikës serbe, përndryshe do të pasonin sanksione të reja. Ky prononcim dhe deklaratë e Presidentit Bush dhe Kryeministrit Major, është edhe rrënja e “Vijës së Kuqe” për parandalimin e përhapjes së luftës në Kosovë.

Si pjesë e paralajmërimit të “Kërshëndellave” të Presidentit Bush në Dhjetor të vitit 1992, ndaj liderëve të Serbisë për mos kalimin e linjës me zgjerimin dhe fillimin e luftës në Kosovë, janë edhe raportimet mediale amerikane – New York Times, për kërcënimin e Presidentit Bush drejtuar autoriteteve serbe, që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të përdorin forcën ushtarake në qoftë se Serbia zgjeron luftën në Kosovën e banuar nga shumica shqiptare”. Ky qëndrim dhe paralajmërim i Administratës së Presidentit Bush i Vjetër për të vënë presion mbi autoritetet serbe, të cilët ishin fajësuar gjerësisht për luftën në Ballkan, u përcoll në Beograd dhe i ishte drejtuar Presidentit Sllobodan Millosheviq e Serbisë dhe Gjeneralit Zhivota Paniç, komandant i Ushtrisë Jugosllave. Kjo “Vijë e Kuqe” nënvizonte se “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përgatitura që të angazhonin forcat e saja ushtarake kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi”.
Me “Vijën e Kuqe” adresuar Serbisë u parashtruan vijat themelore të politikës amerikane kundruall çështjes së Kosovës. I njëjti kërcënim u ripohua nga Administrata në ardhje e Presidentit Klinton, duke imponuar një status-kvo politike për një periudhë të gjatë kohore deri më Konferencën e Dejtonit. Gjatë kësaj periudhe nga politika e jashtme amerikane u trajtua në formë më aktive çështja e Bosnjës e cila u zhyt në një luftë të thellë, si dhe u kërcënua Serbia, respektivisht Jugosllavia që të mos hap një front të ri në Kosovë. Kjo qasje e politikës amerikane vazhdoi deri me ndaljen e luftës së Bosnjës në Dejton dhe fillimin e rezistencës së armatosur dhe luftës së UÇK-së në Kosovë, kur edhe kjo politikë bëhet e paqëndrueshme duke e përfshirë në formë të drejtpërdrejtë Amerikën në luftën në Kosovë.

Qëndrimi dhe kontributi i Presidentit George H.W. Bush në trajtimin më domethënës të çështjes së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirjes së saj në interesat e politikës së jashtme amerikane dhe në parandalimin e luftës së parakohshme në Kosovë, janë atribute të jashtëzakonshme në historinë më të re të Kosovës dhe në marrëdhëniet me Aleatin tonë më të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LAVDI, për Presidentin BUSH i Vjetër.