16:39 / E Diele, 01 Mars 2020 / indeksADMonline

Koronavirusi, Amazon heq kurat e rreme dhe produktet me çmime të larta

Amazon ka ndaluar më shumë se 1 milion produkte që pretendohet se mbrojnë nga koronavirusi, madje mund ta shërojnë atë.

Shitësi online ka shprehur për Reuters se ka hequr dhjetëra mijëra produkte shëndeti të mbivlerësuara me çmim nga shitës të paskrupull.

Organizata Botërore e Shëndetit shprehu shqetësimin në lidhje me disa listime mashtruese në Amazon më herët këtë muaj, duke përfshirë trajtime false.

Virusi, i cili shkakton Covid-19, ka vrarë rreth 2,800 njerëz në të gjithë botën.

OBSH tha që pretendimet e rreme të koronavirusit në internet po shkaktojnë konfuzion tek njerëzit, dhe kanë nxitur gjigandët e teknologjisë të luftojnë përhapjen e keqinformimit.

Nëse kërkoni “coronavirus” në Amazon, do t’ju listohen maska për fytyrë, peceta dezinfektuese si dhe libra të publikuar së fundmi mbi infeksionet virale, që zbulojnë se si shitësit po fitojnë para në kurriz të krizës shëndetësore.

Kërkimi gjithashtu ofron rezultate për vitaminën C, e cila është përhapur së fundmi gjerësisht në internet si kurë e rremë për koronavirusin.

Amazon nuk ofron një listë me këto produkte që thotë se i ka hequr, por një kërkim nga BBC për “coronavirus” në faqen online sugjerojnë shumë produkte që shiten me çmime shumë të larta.

Në një shembull, një pirg me maska kirurgjikale me 50 copë nga një shitës kushton më shumë se 170£, ndërsa një alternativë tjetër e të njëjtit produkt është në shitje për rreth 36£.

Madje produktet më të lira po shiten me çmime shumë të larta që në fillim të Janarit, ndërkohë që kushtojnë më pak se 10£.

Kompania do të vazhdojë të monitorojë faqen për çmimet e produkteve.