15:30 / E Enjte, 26 Mars 2020 / indeksADMonline

Koronavirusi/Asnjë i burgosur nuk është liruar në Kosovë

Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të Planit Operativ “Corona Virus”, kanë propozuar pezullimin e vendimit të dënimit për persona me gjendje më të rëndë shëndetësore.

Mirëpo këto kërkesa janë refuzuar menjëherë nga gjykatat përkatëse me arsyetime të ndryshime, raporton IndeksOnline.

Pra ndryshe nga Republika e Shqipërisë e cila po përgatitet t’i lirojë përkohësisht rreth 600 të burgosur, në Kosovë ende nuk është planifikuar dicka e tillë.

Florent Gashi, zyrtar për informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se në kuadër të Planit Operativ “Corona Virus”, Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kanë propozuar pezullimin e vendimit të dënimit për persona me gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Aktualisht nga gjykata janë refuzuar tri kërkesa, ndërsa jemi  në pritje të  vlerësimit të rasteve tjera”, ka deklaruar Gashi.

Me të konfirmuar rastet e para me COVID-19, nga Qeveria e Kosovës u ndërmorën një sërë masash në mënyrë që të parandalohet përhapja e kësaj pandemie.

Ndër hapat e ndërmarr ishte edhe ndalimi i vizitave të familjarëve tek të burgosurit në të gjitha burgjet.

Por për t’iu mundësuar atyre që të jenë në kontakt me ta, u vendos linja e njohur ‘Skype’, që ua bën atyre të mundur të kontaktojnë me zë dhe pamje përmes video-lidhjeve nga Qendrat Korrektuese tek familjarët.

Kjo mundësi komunikimi u funksionalizua që në javën e parë të marrjes së vendimeve dhe sipas udhëheqësve është duke funksionuar mjaftë mirë./IndeksOnline/