09:22 / E Shtunë, 06 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kosova barazon me Irlandën e Veriut, shpresa për kualifikim

Kombëtarja U19 – femrat ka barazuar 0:0 në duel me Irlandën e Veriut, në ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin “Skocia 2019”. Vashat tona në këtë ndeshje treguan karakter dhe moral të lartë dhe me angazhim maksimal dëshmuan se kanë cilësi për t’u përballur me dinjitet edhe me rivale të tilla si irlandezoverioret, të cilat në ndeshjen e parë e kishin mposhtur Estoninë, 7:1. Madje, të përzgjedhurat e Kushtrim Munishit patën mundësi që nga kjo ndeshje të dalin edhe me pikë të plota, pasi patën dy mundësi tepër të mira për të shënuar.

Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë, me një iniciativë të lehtë të vendasve, por të cilat nuk gjenin hapësirë për të depërtuar në 16-shin e ekipit tonë, pasi me rikthimin e Gjenifer Pjetrit (e cila kundër Gjermanisë mungoi pèr shkak të lëndimit) reparti i mbrojtjes funksionojë shkëlqyeshëm. Ndërkohë, edhe në pjesën e dytë loja ishte e baraspeshuar. Mundësia e parë e pastër për shënim iu dha vendaseve kur Alexandra Collighan gjuajti nga afërsia mbi portë. Ndërkaq, në minutën e 80-të Flaka Asllanaj doli në pozitë tejet të mirë shënimi, por gjuajtjen e saj e ndali portierja Lauren Currle. Një kërcënim serioz për portën tonë ishte ai në minutën e 88-të, kur Abbie Magee gjuajti nga largësia, por topi për fatin e Florentina Kolgecit e qëlloi traversën.

Ndërkaq, në minutat shtesë Flaka Asllanaj depërtoi shkëlqyeshëm në zonë nga krahu i djathtë dhe gjuajti furishëm, por golin ia mohoi portierja Currle, e cila e dëboi me majat e gishtërinjve topin, që mjaftoi sa për ta devijuar topin në këndore. Megjithatë, për çudi gjyqtaret nuk akorduan gjuajtje nga këndi. E kur jemi tek ndarja e drejtësisë duhet theksuar se gjyqtarja sllovake Zuzana Valentova me ndihmëset e saja nga Sllovakia e Greqia nuk ishin në nivelin e detyrës, duke favorizuar në shumë raste ekipin vendas.

Ky barazim i jep shpresa Kombëtares tonë për kualifikim në rrethin elitë, duke pasur parasysh faktin se në ndeshjen e fundit luan kundër Estonisë, e cila pësoi humbje nga Gjermania 21:0, derisa Irlanda e Veriut luan kundër Gjermanisë, e cila është favorite absolute. Kosova me fitore mund të kualifikohet nga pozita e dytë, por ekziston edhe një mundësi që këtë ta arrijë nga pozita e tretë, por këtu gjithçka varet edhe nga renditja e grupeve tjera.

Temat: