11:08 / E Enjte, 22 Dhjetor 2022 / B O

Kosova bëhet me dy pilotë të helikopterit

Ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, ka njoftuar se dy pilotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë përfunduar me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter në bazën e Forcave Ajrore të Shqipërisë.

“Pilotët tanë përfunduan me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter në Bazën e Forcave Ajrore të Shqipërisë
Në Bazën e Farkës të Forcave Ajrore të Shqipërisë, pilotët tanë të Njësisë së Aviacionit të FSK-së, përfunduan me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter tip AB-206, me qëllim të ruajtes së aftësive fluturuese individuale dhe operacionalitetit të njësisë sonë.
Ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale, si dhe atyre të përbashkëta në reagime për menaxhim krizash me forcat e Shqipërisë dhe forcat e vendeve tjera partnere rajonale mbi konceptin “Smart defense”.
Në kohën kur jemi në proces të ngritjes së kapaciteteve ajrore, ky program është shumë i rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive operacionale të pilotëve tanë.
Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga vëllezërit e motrat tona të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë” shkruan Mehaj në njoftim.