75 Mall Live Search
14:14 / E Premte, 21 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kosova e para me strategji për ripërtëritje nga fatkeqësitë

Për herë të parë në Kosovë po ndodh platforma për ripërtëritje nga fatkeqësitë. Në kuadër të kësaj u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjes ndërkomunale për themelimin e rrjetit “Ripërtëritja nga fatkeqësitë për komunat e Istogut, Klinës, Malishevës dhe Pejës”.

Zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe sipas saj ky është realiteti dhe duhet përgatitur.

“Kjo është një ceremoni speciale sepse jeni të parët në Ballkan dhe besoj edhe në botë që po e bëni këtë rreth rëndësisë për t’u pajtuar rreth katastrofave në nivel ministror dhe në atë lokal.”

I pranishëm aty ishte edhe zëvendës shefi i sektorit për bashkëpunim në zyrën e Unionit Evropian në Kosovë, Libor Chlad, i cili tha se bashkëpunimi ndërkomunal ështe i rëndësishëm, transmeton Klan Kosova.

“Jam i lumtur me strategjinë e Kosovës për këtë fushë, e cila dëshmon rrugën dhe tregon hapat konkret për t’u përballur me sfidat dhe rreziqet. Për katër vjet në Kosovë e vërej se është problematike të sigurohen të dhëna të besueshme. Me vjen mirë që sot po diskutohet aspekti legjislativ dhe strategjitë. Kështu që bashkëpunimi ndërkomunal është shumë i rëndësishëm”, deklaroi ai.

Qëllimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërkomunal për ripërtëritjen nga fatkeqësitë, është zbutja e dëmit potencial të fatkeqësive natyrore për qytetarët, infrastrukturën dhe mjedisin përmes integrimit të praktikave të reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë në nivel komunal.