16:50 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

‘Kosova e Re shtrenjton rrymën, kostoja e ndërtimit do të jetë 4.5 miliardë euro’

Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re ishte pikë e nxehtë e debatit parlamentar ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit të PSD-së Dardan Sejdiu.

Në vazhdimin e seancës u mbajt interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Propozuesi i interpelancës Dardan Sejdiu nga PSD, ka thënë se oferta për Kosovën e Re ka sjell kompaninë “Contur Global” si pjesë e dytë e një konsorcium që ka aplikuar. Sipas tij, termocentrali i ri po ndërtohet pa vlerësim të ndikimit në mjedis apo analizën e ndikimit social.

Ai ka shtuar se kontrata e nënshkruar ka 8 marrëveshje, të gjitha në gjuhën angleze që ende nuk janë përkthyer, ndonëse marrëveshja është nënshkruar në dhjetor 2017.

Ai tha se kostoja e synuar e këtij termocentrali është 1.3 miliard euro, ndërsa çelësi me të cilin do të ndërtohet ky termocentral është 70 për qind kredi, 30 për qind ekuitet.

Me këtë ai tha se kësaj kompanie i garantohet kthim i brendshëm i ekuitetit në vlerë prej 18.5 për qind. Sejdiu tërhoqi vërejtjen se me këtë ekuitet kostoja e ndërtimit fillimisht nuk do të jetë 1.3 miliard euro, por shumë më tepër. Po ashtu sipas tij, ndërtimi i këtij termocentrali do të ketë implikime negative të çmimit të energjisë. Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj Sejdiut duke thënë se ka shumë gjëra të pasakta dhe të pavërteta nga prezantimi i deputetit për Kosovën Re.