16:33 / E Premte, 22 Qershor 2018 / indeksADMonline

‘Kosova e Re’ zgjeron rrjetin e Termokosit edhe në Fushë Kosovë dhe Obiliq

Me ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, rrjetit të ngrohjes qendrore të Termokos në Prishtinë do t’i rriten kapacitetet për 200 megavat energji termike, vlerë kjo dyfish më e madhe se vlera aktuale e shpërndarë nga Termokos ndër qytetarë.

Kësisoji, bazuar në kapacitetet prodhuese dhe të shpërndarjes, numri aktual i konsumatorëve të Termokos prej 13,500, – mund të dyfishohet.

‘Kosova e Re do të jetë e gatshme për kogjenerim, dhe poashtu në të ardhmen do të sigurojë energji termike për sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, dhe me zgjerimin e rrjetit edhe për Fushë Kosovës dhe Obiliqi.’, thuhet në materialet informative të publikuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Termocentrali Kosova e Re shënon një zhvillim të ri për ekonominë e vendit duke e bërë atë investimin më të madh direkt të huaj në vend. Termocentrali do të jetë aseti kryesor i vendit në aspektin strategjik dhe ndërtohet në pajtim me praktikat më të mira mjedisore, standardet ndërkombëtare të mjedisit dhe në përputhje me IED/BAT (të miratuara së fundmi me Direktivën e BE-së për emetimet industriale).