13:29 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kosova e Turqia zotohen për bashkëpunim në siguri

Drejtori Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, së bashku me kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi, kanë pritur në takim zyrtar Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë Mehmet Akarca, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në RKS Kivicilim Kiliç.

Të pranishmit u njoftuan mbi angazhimet, aktivitetet dhe rezultatet e arritura përmes realizimit të objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, që dalin nga plani zhvillimor strategjik i Policisë.

Maxhuni po ashtu i njoftoi të pranishmit se “Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Ndërsa Prokurori i Turqisë Akarca vlerësoi punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet turke.

Delegacioni i Turqisë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj, me qëllim të ngritjes profesionale dhe avancimit të mëtejme në fusha të ndryshme.

Gjatë takimit të dy palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, bashkëpunim ky i cili është në interes të përbashkët./AktivPress