08:34 / E Mërkurë, 24 Qershor 2020

Kosova është fëmijë e Amerikës i lindur në fushëbetejat heroike të UÇK-së

Kosova është fëmijë e Amerikës i lindur në fushëbetejat heroike të UÇKS-së. Të gjithë ata që nuk duan ta pranojnë këtë simbiozë, janë për realitete të reja në rajon ku sërish duan t’i hapin udhë pretendimeve serbo-ruse, duke e paraqitur Kosovën në arenën ndërkombëtare si një “projekt i papërfunduar”. Kjo tezë bëhet edhe më neuralgjike në kohën kur Kosova edhe pas rrumbullaksimit të procesit të pavarësimit dhe njohjeve ndërkombëtare, po duhet sërish të kthehet dikund në gjysmë të rrugës vetëm për faktin se ende nuk qenkan mbyllur problemet me Serbinë

Nga Mehmet PRISHTINA

Në pritje të 27 qershorit, kur në Uashington është paralajmëruar një takim në mes të liderëve të Ballkanit dhe përfaqësuesve të Shtëpisë Bardhë, shumë media, politikanë e analistë kësaj ngjarjeje po i japin dimensione e konotacione të ndryshme, varësisht nga këndi i vrojtimit.

Ajo që meriton vëmendje dhe analize të ftoftë është pesha që po fiton ky takim në debatin aktual, ku nuk po  mungojnë ekstremet – nga ekzagjerimi i skajshëm tek relativizimi me prirje nihiliste. Diku në mes janë pragmatikët, të cilët po presin çka do të ofrojë ky takim që në start, dhe tek pastaj të shprehin qëndrimet e tyre, të bazuara gjithmonë në agjendën e këtyre bisedimeve që nuk pritet se do të përfundojnë shpejt.

Kosova tash më është shtet, që erdhi pas një procesi të gjatë zhvillimesh në terren, si në planin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik. Gjithkush e ka të qartë se shtetësia e Kosovës i atribuohet meritave të kombinuara vendore e ndërkombëtare, ku SHBA dhe NATO luajtën rol vendimtar.

Kthesa e madhe që ndodhi në mars të vitit 1999, ishte mrekullia që bëri bashkë aspiratat e një populli për liri dhe gatishmërinë e faktorëve ndërkombëtarë, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, NATO etj. për të aplikuar një precedent që zor se do të përsëritet ndonjëherë në të ardhmen. Sikundër dihet, përgatitja e terrenit për intervenim të  NATO-s erdhi pas dështimit të dialogut të Perendimit me Millosheviqin, që në fakt filloi me Rambujenë (6 shkurt të vitit 1999). Atëbotë pak kush guxonte të parashikonte se si do të zhvillohej situata gjeopolitike, sepse goditja që iu dha Serbisë nga bombat e NATO-s, ishin edhe goditje për aleatët e saj, parasegjitahsh Rusinë, dhe ky fakt s’do mend që implikonte të gjithë ata që ndjeheshin të irrituar nga ky intervenim. 
Por, zhvillimet e mëvonshme dëshmuan se Rusia nuk arriti të imponojë fuqinë e ndikimit të saj në rajon, edhe përkundër përpjekjeve të pasuksesshme që të bllokojë për pak orë një pjesë të aeroportit ushtarak të Sllatinës pas ndërhyrjes tokësore të forcave të NATO-s në qershor të 1999-tës.

Ëndrra serbe për gllabërim të Kosovës, është shndërruar në makth për ndarjen e saj

Ëndrra e Serbisë për ta gllabëruar Kosovën asnjëherë nuk ka pushuar gjatë historisë, mirëpo me kalimin e kohës kjo ëndërr pësoi transformim dhe u shndërrua në makth për ndarjen e Kosovës. Madje para intrevenimit të NATO-s ( 24 mars 1999), ndarja e Kosovës me dhunë, jo vetëm që ishte synim i politikanëve dhe gjeneralë serbë, por ky opsion ishte gjithnjë e më konjuktural edhe në disa qarqe perëndimore, që po imponoheshin në mënyrë “të tërthortë” nga menyja ruse, si një rezultat që do të mund të dilte nga opsioni “i përfundimit të konfliktit pa fitues dhe pa humbës”, pra i strategjisë së “zgjidhjes së ndershme të konfliktit”, që paraqitej përmes “pakos” në çantën e Çernomyrdinit, të cilën ai po e hapte gjithnjë e më guximshëm nëpër qendrat perëndimore. Siç raportonin mediat  gjermane të asaj kohe emisari rus, opsionin e ndarjes së Kosovës “në dy njësi administrative’, e pat prezantuar edhe gjatë bisedës me kancelarin Shrëder (prill 1999), duke e paraqitur atë si “zgjidhje optimale kompromisi”, ku Serbia do të pranonte trupat ndërkombëtare, me kusht që ato ruse dhe ukrainase të stacionoheshin në “kantonin shqiptar”. Emisari rus, Çernomyrdin, fjalën “kantone” e kishte shprejhur në kontekst të “vetëqeverisjes së Kosovës, e cila megjithatë pas gjithë asaj që ka ndodhur, do të duhej të kishte “specifikat” administrative etnike, të cilat do të mundësonin “jetë normale” për të gjithë.
Nga burime të ndryshme që mediat gjermane iu referoheshin aso kohe, bëhej e ditur se edhe Millosheviqi në letrën që ia dërgonte Presidentit Klinton me rastin e lirimit të tre ushtarëve amerikanë, de fakto i biente daulles së ndarjes elegante të Kosovës në “zona specifike administrative, ku thuhet “se do të mund të bisedohej në mënyrë të hollësishme”, pasi të jenë pranuar zgjidhjet në parim. Pala serbe, pra, në kuadër të “kompromiseve” kërkonte që të përligjë pikërisht faktet e kryera me dhunë, gjatë kohës së sulmeve ajrore të forcave aleate dhe ato t’i prezantojë, si bazë për marrëveshjet e reja.
 Por zhvillimet në terren, sidomos ofenziva ajrore e NATOs dhe aksionet ushtarake të UÇK-së, e pamundësuan realizimin e kësaj strategjie serbo-ruse për ndarjen e Kosovës . Prandaj fitorja e arritur në fund të bombardimeve të NATOs nuk kurorëzoi vetëm një triumf ushtarak e diplomatik të Perëndimit, por varroste përfundimisht edhe ëndrrën serbe për ndarjen e Kosovës sipas aspiratave e nevojave të tyre. Kjo ndodhi sidomos në kohën kur mbi qiellin e Kosovës filluan të fluturojnë “Apaçët”  të cilët shkurtuan  distancën midis luftës së qiellit dhe asaj të tokës, e që ndikoi dukshëm në vendosjen e baraspeshës ushtarake midis forcave serbe dhe atyre shqiptare të udhëhequra nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës. Zvetnimi i ëndrrës serbo-ruse për ndarjen e Kosovës, i hapi udhë një procesi tjetër, të pandalshëm – pavarësimit të saj, një opsion ky që erdhi shumë i natyrshëm pas një procesi të gjatë e të vështirë, me ç’rast roli i faktorit vendor ushtarak (UÇK) determinoi rivendosjen e një balance te re gjeopilitike në rajon, ku SHBA kishte kontribut kolosal.

Teza serbo-ruse për Kosovën si “projekt i papërfunduar”

Kosova është fëmijë e Amerikës i lindur në fushëbetejat heroike të UÇKS-së. Të gjithë ata që nuk duan ta pranojnë këtë simbiozë, janë për realitete të reja në rajon ku sërish duan t’i hapin udhë pretendimeve serbo-ruse, duke e paraqitur Kosovën në arenën ndërkombëtare si një “projekt i papërfunduar”. Kjo tezë bëhet edhe më neuralgjike në kohën kur Kosova edhe pas rrumbullakësimit të procesit të pavarësimit dhe njohjeve ndërkombëtare, po duhet sërish të kthehet dikund në gjysmë të rrugës vetëm për faktin se ende nuk qenkan mbyllur problemet me Serbinë. Politikanët në Beograd vazhdoimisht po i mëshojnë këtij teli dhe sipas tyre shtetësia e Kosovës quhet e rrumbullkasur dhe e finalizuar vetëm atëherë kur do të njihet nga Serbia.
Askush nuk e mohon se mbyllja e problemeve të hapura me Serbinë, i ndihmon forcimit të shtendërtimit të Kosovës, sidomos në planin e eurontgerimeve, sepse sipas rekomandimeve të Kopenhagës shtetet e Ballkanit Perendimor duhet të përgatiten për të aderuar në BE vetëm pasi t’i kenë eliminuar ngatrresat fqinjësore. Por, ky kriter më tepër ka të bëjë me Serbinë (e më pak me Kosovën), sepse pikërisht ajo ka nevojë të lirohet nga miti mbi Kosovën si pjesë e legjendave të saja hegjemoniste dhe kjo është lehtësisht e dëshmueshme nëse i hedhim një sy Kushtetutës serbe, ku Kosova ende llogaritet si “pjesë e Serbisë”(!).

Para takimit të Uashingtonit, ‘rulet rus’ në debatin anti- Kosovë  

Tani t’iu kthehemi takimit të Uashingtonit që është paraparë më 27 qershor, ku Kosova po shkon për të mbyllur një konflikt të sajuar, që Serbia po e reklamon në botë si adut që asaj do t’i sillte anëtarësim në BE.
Është projektuar gabimisht edhe në opinionin e brendshëm publik, i cili pastaj po bëhet burim referencash edhe për mediat ndërkombëtare, se gjoja shtetndërtimi i Kosovës qenka i paplotë nëse mungon mëshira e  Serbisë për ta njohur pavarësinë e saj. Do të ndodhte mrekullia sikur Serbia të njihte shtetin e Kosovës, por krerët e Beogradit po punojnë pikërisht të kundërtën, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, por edhe duke u shprehur të qartë se në Uashington nuk po shkojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Ky qëndrim është reflektuar edhe në një tekst të përbashkët, të botuar ditëve të fundit, të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, dhe homologut të tij, Ivica Daciq, bëhet propagandë e hapur ndaj shtetit të Kosovës, ku artikullshkuesit nuk ngurrojnë të shfaqin mendime fataliste se gjoja shteti i Kosovës është në buzë të greminës ekonomikisht dhe se krimi është në rritje të vazhdueshme. Autorët Lavrov dhe Daçiq kërkojnë që Gjykata Speciale të marrë vendime sa më shpejt ndaj “kriminelëve” të UÇK- së si dhe kërkojnë të respektohet Rezoluta 1244 që të arrihet një zgjidhje përfundimtare. Ata gjithashtu e bëjnë të qartë se nuk do të lejohet asnjë presion nga jashtë për zgjidhjen përfundimtare, si dhe akuzohet BE që nuk po bën presion mbi Kosovën për implementimin e marrëveshjes së Asosacionit të Komunave Serbe. Njëherësh kërkohet që t’i hapet rruga Serbisë për anëtarësim në BE, pa kushtëzime mbi Kosovën.

Në mendësinë diplomatike e politike të Beogradit e Moskës, pavarësia e Kosovës ende kualifikohet si separatizëm që paska prishur normat ndërkombëtare dhe e kemi ende të paqartë se çfarë bisedimesh të suksesshme priten në Uashington kur vet shefi i diplomacisë Serbe, Ivica Daçiq, i fryen me të madhe edhe atyre pak qirnjëve që bëjnë dritë në tunelin e errët të raprteve shqiptaro-serbe. Nihilizmin e tij kundrejt shtetësisë së Kosovës, ai e ka shprehur edhe në tekstin e lartpërmendur, që në bashkëautprissësi me Sergej Lavrovin ndër të tjera shkruajnë se “rreth gjysma e vendeve anëtare të KB nuk e njohin “shtetësinë” e Kosovës dhe numri i vendeve të tilla po rritet. Gjithnjë e më shumë kryeqytete janë duke kuptuar rrezikun (përfshirë vetë ata) të precedentit të krijuar nga Kosova që përfshin ndërhyrje ushtarake të jashtme në punët e një shteti të pavarur nën pretekste të largëta…Fakti që Kampi Boondsteel është uzurpuar është shqetësimi ynë. Ishte krijuar si një bazë paqeruajtëse por është kthyer në një bazë trajnimi për “forcat e armatosura” të Kosovës, që është shqetësim i thellë i yni. Në fakt, është tentim që të zbardhet emri i UÇK’së, që filloi luftën në fund të 90’tave që dërgoi në shkëputjen e rajonit nga Serbia”, shkruan dzshja Lavrov- Daçiq, të cilët konstatojnë se gjatë muajve të kaluar, BE dhe SHBA kanë bërë fusahtë rigoroze që të vazhdojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. “Natyrisht, ne jemi mbështetës ndaj metodave politike të marrëveshjes, por ne besojmë që bisedimet duhet të bazohen në principin bona fide të implementimit të marrëveshjeve të mëparshme. Principi kryesor është krijimi i një Komuniteti të Komunave me Serbë në Kosovë që do të ketë të deleguar autoritetin e duhur. Përgjegjësia direkte e BE’së si një ndërmjetëse në procesin negociator është që të bëjë Kosovën të implementojë obligimet. Deri më tani, asnjë përparim nuk është bërë në krijimin e Asosacionit”, saktësojnë Lavrov-Daçiq, duke shtuar se duke shtuar se pa marrë parasysh, Rusia dhe Serbia vazhdojnë të besojnë që është e nevojshme të respektohet Rezoluta 1244. “Kërkimi i një kompromisi gjatë procesit të negociatave është privilegji ekskulziv i Beogradit dhe Prishtinës. Ata duhet të artikulojnë dhe adoptojnë vendimin final që të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së. Moska do të pranojë vetëm një marrëveshje që Beogradi e pranon”, shprehen Lavrov e Daçiq.
Ky, me fjalë të tjera, është Ruleti Rus, i cili po instalohet në mendësinë publike të debatit në Beograd e Moskë, në prag të takimit të së premtes në  Uashington.
 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, ka paralajmëruar si proces tepër të vështirë dhe të rëndë rinisjen e dialogut me Serbinë. Duke folur pak ditë para takimit në Uashington, ai ka thënë se takimi i paralajmëruar për 27 qershor është kthesë historike dhe mundësi e papërsëritshme për të filluar procesin “tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes.
Por drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nuk i ka pëlqyer ky qëndrim i një  zyrtari të lartë në Prishtinë, andaj ka porositur nga Beogradi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin, Avdullah Hoti, që të mos mendojnë se më 27 qershor në Uashington, Serbia do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Nga Uashingtoni do të kthehen pa njohjen e Kosovës, ka thënë Gjuriq në një konferencë për media duke shtuar se porosia e Serbisë iu drejtohet ‘liderëve të partive separatiste dhe organizatave në Kosovë’. Siç tha Gjuriq, shumë gënjeshtra janë paraqitur kohëve të fundit lidhur me karakterin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit në Uashington, të ftuara nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialog, Richard Grenell.

Kur jemi te takimi i Uashingtonit, duhet theksuar Moska zyrtare e sheh me skepticizëm involvimin e SHBA-ve në këtë proces. Shefi i diplomacisë ruse, Segej Lavrov, gjatë vizitës në Beogard javën e kaluar,  madje është shprehur hapur se Bashkimi Evropian duhet që të ketë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ai ka nënvizuar se problemi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe Bashkimi Evropian, i cili nga Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka marrë mandatin për rolin e ndërmjetësuesit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, “nuk guxon që të izolohet nga obligimet e veta dhe duhet t’i përmbushë ato në mënyrë të paanshme”.
Bashkimi Evropian, sipas Llavrovit, duhet të përpiqet për realizimin e atyre marrëveshjeve që tashmë janë arritur dhe ka nënvizuar çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtuar se  qëndrimi i Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ne edhe një herë e kemi konfirmuar sot këtë. Ne do të mbështesim çdo përpjekje dhe çdo hap dhe nismë që vërtetë do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e një zgjidhje vitale dhe të pranueshme, në bazë të Rezolutës 1244. Do t’ju përkujtoj që pikërisht me propozimin dhe këmbënguljen e Rusisë, në atë rezolutë konfirmohet integriteti territorial i Serbisë”, ka theksuar Lavrov.

Kosova me sy nga Brukseli e me zemër nga Uashingtoni

Përparësia që i jepet BE-së në raport me bisedimet Kosovë-Serbi nga ana e diplomacis ruse, detekton saktësisht dëshirën e kahmotshme të Moskës që të vazhdojë qasja letargjike e Brukselit kundrejt problemeve të ndieshme në rajon, ndërkohë që Amerika ka qenë më këmbëngulëse në zgjidhjen përfundimtare të problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sepse, siç e tha edhe Janush Bugajski në një intervistë për mediat kosovare, “Uashingtoni është i frustruar me progresin e ngadaltë të Brukselit në rifillimin e bisedimeve, si dhe në dështimin e tyre për të shtyrë të dy palët drejt një zgjidhjeje. Brukseli po frikësohet se ShBA-të mund të bindin të dy palët të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do ta destabilizojë regjionin me shkëmbime territoresh dhe ndryshime të kufijve”.
Sa i përket qëndrimeve europiane ndaj këtij problem, këtu duhet veçuar artikulimin Berlinit zyrtar,i shprehur përmes shefit të diplomacisë gjermane,Heiko Maas, sipas të cilit, vendet e Ballkanit Perëndimor duan të gjithë një perspektivë europiane, sidomos kjo zgjidhje duhet të vlejë në tejkalimin e konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të gjita zgjidhjet, sipas tij, t’i dakordësojnë me BE-në..

Angazhimi amerikan për një zgjidhje sa më të shpejt të problemit midis Kosovës dhe Serbisë, ka aktivizuar edhe disa mekanizma të Bashkimit Europian por edhe të shteteve me ndikim, siç është Franca. Përveç BE-së, përmes emisarit të saj, Miroslav Lajçak, edhe Presidenti francez Emannuel Macron më 17 korrik ka planifikuar të organizojë një samit në Paris. Mbajta e një takimi të tillë si angazhim gjermano-francez kishte dështuar të mbahej më 1 korrik të vitit të kaluar, për shkak të taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia. Kjo e fundit refuzonte të kthehej në tryezën e negociatave, duke pasur taksën në fuqi. Sikundër duhet, me gjithë kërkesën e Francës dhe Gjermanisë, ish-kryeministri Haradinaj pati refuzuar ta hiqte taksën. Ndërkaq ish-shefen e BE-s për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, e kishte akuzuar se bashkë me Ramën, Thaçin e Vuçiqin janë angazhuar për ndarjen e Kosovës.

Para takimit në Uashington, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se për çështjen e Kosovës serbët “janë të kryqëzuar në mes të dëshirës dhe realitetit”. Sipas Vuçiqit  “ekziston diçka të cilën do ta kishim dëshiruar dhe diçka që është realitet. Do të luftoj fuqishëm për Kosovën dhe Metohinë, shumë më tepër se ata që kanë pasur fjalë heroike por vepra të zbrazëta”, ka thënë Vuçiq, në një emision televiziv..

Por, ky takim i paralajmëruar nuk do të kishte kurrfarë kuptimi nëse nuk përmendet arkitekti i tij, i dërguari amerikan Richard Grenell, i cili në një intrevistë për mediat kosovare tha se në Uashington do të flitet  vetëm për ekonomi,kurse në këtë fazë, që ai e quan faza e parë, duhet të arrihet normalizimi i raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai për një gjë të tillë thotë se i ka informuar edhe francezët dhe gjermanët. Pastaj, faza tjetër, ajo politike, sipas Grenellit, duhet të udhëhiqet prej evropianëve.

“Ka shumë zhurmë atje, njerëzit që nuk dinë, por që pretendojnë që dinë, po e hutojnë publikun”, ka thënë Grenell, lidhur me pretendimet se në Shtëpi të Bardhë do të diskutohet për tema të rënda politika. Ai i ka porositur njerëzit në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë që t’i dëgjojnë vetëm ata që janë kompetentë për këtë temë, e jo spekuluesit.

 “Nuk e di sa herë duhet ta them, edhe pse kam qenë jashtëzakonisht i qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të bindur që konflikti 20-vjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik”, ka thënë Grenell.

 Sipas përfaqësuesit të lartë amerikan, kjo do të duhej të ishte faza e parë e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Ai ka thënë që në fazën tjetër, në hapin e dytë, evropianët do ta udhëheqin procesin. Mirëpo kjo gjë, sipas tij, duhet të ndodhë vetëm kur të fillojnë të vijnë efektet e para të ekonomisë. Grenell ka insistuar që të kërkojë prej evropianëve që të fillojnë t’i liberalizojnë vizat për Kosovën, sepse, sipas tij, pa liberalizim të vizave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Kosova do të vazhdojë të jetë e drejtuar me sy nga Brukseli, kurse me zemër nga Amerika, sepse kjo e fundit historikisht është treguar më e gatshme në zgjidhjen e problemeve territorial e etnike të shqiptarëve. Kosova edhe në takimin që do të mbahet në Uashington shkon me bindjen se sensi amerikan për të mirëkuptuar aspiratat e shqiptarëve për liri e pavarësi, nuk do të pësojë ndonjë ndryshim edhe përkundër zërave që thuan se prioritetet amerikane në Ballkan nuk janë më si para dy dekadave dhe në këtë kontekst shihet edhe gjoja largimi i vëmendjes nga Kosova.
Shqiptarët janë populli më proamerikan në Europë dhe këtë e kanë dëshmuar, jo vetëm deklarativisht, por edhe me qëndrime të qarta, duke refuzuar çfarëdo lloj presioni serbo-rus për ndikime të natyrave të ndryshme. 

 Prishtinë,
23 qershor 2020

Mos i humb