13:29 / E Mërkurë, 29 Janar 2020

Kosova fton një serb, selektori i painteresuar për këtë punë

Trajneri i Përfaqësueses U-19 të Kosovës, Ramiz Krasniqi, do të mbajë grumbullimin e radhës me futbollistët e kampionatit vendor të gjeneratës 2003, ka njoftuar të martën Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Krasniqi ka publikuar listën me emrat e 24 futbollistëve, të cilët të mërkurën (sot) dhe të enjten do të stërviten në stadiumin e 2 Korrikut në Prishtinë. Në listën e publikuar nga Ramiz Krasniqi shihet edhe emri i futbollistit serb, Ilija Iviq.

Fjala është për futbollistin 17- vjeçar Iviq, i cili vjen nga Komuna e Graçanicës, mëson “Zëri”.

Gazeta mëson se lojtari nuk do t’i bashkohet Kosovës pasi që ndodhet në Antalia të Turqisë me Flamurtarin për përgatitje.

“T’ju tregoj diçka sinqerisht. Ne nuk na intereson kombësia, por se a është futbollist i mirë. Ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, u shpreh fillimisht përzgjedhësi Ramiz Krasniqi, i pyetur për ftesën ndaj lojtarit serb.

“Ai e ka gjatësinë e konsiderueshme për pozitën që luan. Por, me leje ai ka shkuar me skuadrën e parë të Flamurtarit, në përgatitje dimërore në Antalia të Turqisë”, tregon më tej Krasniqi.

Pavarësisht mungesës, duke u bazuar në cilësitë që ai ka, Krasniqi ka thënë se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kosovës.

“Ai do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në vazhdim. E kam përcjell shumë dhe ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, shtoi Krasniqi për “Zërin”.

Futbollisti serb tash e një kohë është duke stërvitur me skuadrat e grupmoshave të Flamurtarit.

Drejtuesit e klubit kanë vendosur që t’i ofrojnë kontratë profesionale.

Futbollistët e ftuar janë:

Artim Kutleshi, Alket Bajrami, Granit Shabani, Festim Haxhiu (Llapi), Andi Salihu, Valon Pllana, Redon Syla (Prishtina), Diar Halili, Lorik Rexhepi, Ledon Krasniqi (2 Korriku), Marin Reka, Diart Geci, Granit Latifi (SHF Kurda), Art Sherifi, Jon Shehu (SHF Besëlidhja), Dren Nura, Ilija Iviq (Flamurtari), Edvin Qeshko, Fatjon Bunjaku (SHF Lushta), Selim Halabaku, Fatlum Leka (Gjilani), Januz Miftari, Ardian Hasani (Trepça ’89) dhe Leonard Bllacaku (Kosova P.).