Kosova nesër njofton Malin e Zi për ratifikimin e Demarkacionit
Kosova pritet që nesër zyrtarisht të njoftojë institucionet e Malit të Zi se Kosova ka përmbyllur çështjen e Marrëveshjes së Demarkacionit.
Këtë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nesër do informojnë institucionet malazeze se Kosova ka përfunduar të gjitha procedurat e brendshme ligjore të ratifikimit të Marrëveshjes mbi kufijtë shtetërorë në mes të dyja vendeve.
“Nesër, sipas terminëve të caktuara me konventën ndërkombëtare”, ka thënë ministri.
Ndryshe, sipas afateve ligjore, nesër është dita e fundit kur MPJ duhet ta njoftojë Malin e Zi se Kosova ka përfunduar ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion, 15 ditë pas publikimit të saj në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Publikimi në Gazetën Zyrtare është bërë më 15 maj./Indeksonline/