13:16 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Kosova nis një rrugëtim të ri, votohet Qeveria e Hotit

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar Qeverinë e re e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Me 61 vota pro, Avdullah Hoti nga ky moment është kryeministër i ri i Kosovës, raporton IndeksOnline.

Kryeministri nga LDK-ja, ka thënë se Qeveria e re ka dy prioritete: Luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike pas tejkalimit të kësaj situate.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet përbëjnë Qeverinë e re e cila mandatin mund ta çojë deri në fund.

Të pranishëm në seancë kanë qenë deputetët e këtyre partive, përfshirë edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, por jo edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kishte refuzuar ta drejtonte seancën duke autorizuar nënkryetarët për ta drejtuar atë. Ishte nënkryetari i Kuvendit nga LDK-ja, Kujtim Shala, i cili drejtoi seancën e cila kishte vetëm një pikë të rendit të ditës dhe kjo të votimit të Qeverisë së re.

Kabineti qeverisës:

Avdullah Hoti, Kryeministër
Besnik Tahiri, Zv/Kryeministër
Driton Selmanaj, Zv/kryeministër
Albulena Balaj- Halimaj, Zv/kryeministre
Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme
Hikmete Bajrami, Ministre e Financave
Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Arban Abrashi, Ministër i Infrastrukturës
Meliza Haradinaj Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme
Anton Quni, Ministër i Mbrojtjes
Ramë Lika, Ministër i Arsimit
Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë
Besian Mustafa, Ministër i Bujqësisë
Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës
Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë
Blerim Kuçi, Ministër i Ekonomisë
Vesel Krasniqi, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë
Goran Rakiq, Ministër i Pushtetit Lokal
Dalivor Jevtiq, Ministër për Kthim dhe Komunitete
Enis Kervan, Minisër i Zhvillimit Rural