12:40 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / C E

Kosova përfaqësohet nga katër garuese në Botërorin e xhudos, mungon e arta olimpike

Ekipi kosovar i xhudos do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të xhudos, garë kjo më e rëndësishmja që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Botërori i xhudos do të zhvillohet nga data 6 deri më 13 tetor, dhe mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Në këtë garë Kosova do të përfaqësohet nga katër garuese, ku ekipit i prinë e arta olimpike, Distria Krasniqi e cila garon në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Ndërkaq, krahas Distrias do të garojnë edhe Flaka Loxha (kategoria deri në 57 kilogramë), Laura Fazliu (kategoria deri në 63 kilogramë) dhe Loriana Kuka (kategoria deri në 78 kilogramë).

Botërorit të xhudos do t’i mungojë familja Gjakova, respektivisht Akili dhe Nora, ku sipas trajnerit Driton Kuka, të dy xhudistët mungojnë shkaku i lëndimeve.

Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka. Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.