Kosova tërhiqet edhe nga UNESCO
Pak ditë pasi Kosova hoqi dorë nga aplikimi për INTERPOL, këtë duket se e ka bërë edhe për UNESCO’n, ani pse në vazhdimësi është thënë e kundërta.
Metro ka marrë vesh se Kosova nuk ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, ani pse sot është dita e fundit pasi mbahet takimi i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO’s, ku edhe vendoset agjenda e Konferencës së Përgjithshme.
Qeveria e Kosovës e pyetur për tërheqje, i ka ikur paksa pyetjes së Metros. Ata kanë thënë vetëm se vendimi për aplikim ose jo do të merret duke u konsultuar me ndërkombëtarët.
“Qeveria është në konsulta me të gjithë mekanizmat relevant ndërkombëtar si dhe me aleatët strategjik të Republikës së Kosovës dhe në koordinim të plotë me ta, do të marrë vendimin”, ka thënë për Metron, Halil Matoshi.
Ndërkaq, Qeveria është arsyetuar se janë vetëm qe 3 javë në detyrë dhe s’kanë mundur t’i përmbyllin dy ligje, sipas tyre, thelbësore për UNESCO’n.
“Qeveria Haradinaj është tre javë në detyrë, prandaj nuk është arritur të përmbyllen dy ligje thelbësore për UNESCO-n, ai për liritë fetare dhe ai për trashëgiminë kulturore edhe pse Kosova është dashur që t’i përmbyllë ato që nga viti 2015”, ka shtuar Matoshi.
Por, Metro ka kërkuar sqarim se pse këto ligje janë bërë pengesë, duke ditur se një gjë e tillë nuk kishte penguar dy vite më parë kur kishte aplikuar Kosova dhe nuk kishte marrë votat e nevojshme, por Qeveria ngul këmbë se këto dy ligje janë vendimtare.
“Çështja e atyre dy ligjeve pikërisht është argumenti kryesor”, ka thënë në fund Matoshi.
Ndërkohë, për mos futjen e Kosovës në rend dite në këtë mbledhje të UNESCO’s ka folur edhe ambasadori serb në UNESCO.
“Kjo temë, tani për tani nuk është caktuar për takim”, ka thënë Darko Tanaskovic për mediat serbe.
Sipas tij, nëse Kosova dëshiron të bëhet anëtare e UNESCO’s, autoritetet e saja së pari duhet të paraqesin kërkesë, në mënyrë që ajo të shqyrtohet se a duhet të vendoset në rendin e ditës, e cila gjë sipas Qeverisë së Kosovës, nuk është bërë.
Ndryshe, Kosova aplikoi dy vite më parë për t’u anëtarësuar në UNESCO, por nuk arriti të marrë votat. Tërheqja nga aplikimi këtë vit, lë Kosovën jashtë UNESCO’së edhe për të paktën dy vite pasi Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate mbahet çdo dy vjet.