17:19 / E Diele, 28 Prill 2019 / indeksADMonline

Kosova U17 realizoi fitoren e dytë në Letoni

Kombëtarja e Kosovës U17 ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Estoni. Pas fitores kundër Andorës (1:0), djelmoshat e drejtuar nga Besnik Kollari, në ndeshjen e dytë kanë arritur ta mposhtin ekipin organizator të këtij turneu, Letoninë, pas penalltive me rezultat 4:2, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:1.

Të parët në epërsi kaluan letonët në minutën e 32-të dhe atë nga një pakujdesi e portierit Riad Bytyçi, i cili një top të kthyer nga Bleond Rexhepi, nuk e perceptoi si duhet me këmbë dhe si rrjedhojë ai përfundoi në rrjetën e tij.

Mirëpo, kjo gafë sikur i dha zemër edhe portierit, por edhe lojtarëve tjerë, të cilët në vazhdim treguan lojë shumë më të mirë dhe arritën që qysh pas tre minutave lojë në pjesën e dytë t’i barazojnë shifrat me golin e shënuar nga Arbër Bytyçi pas harkimit të Egzon Fazliut.

Ndërkohë, në serinë e penalltive u dallua pikërisht portieri Rijad Bytyçi, i cili arriti të presë dy gjuajtje të letonëve për ta përmirësuar kësisoj gabimin e bërë gjatë ndeshjes dhe për t’ia mundësuar festën shokëve të tij me fitoren e dytë në këtë turne.

Në serinë e penalltive për Kosovën shënuan Diar Halili, Eliot Llullaku, Leart Tahiri dhe Miran Kuçi, derisa gjuajtjen e Arbër Bytyqit e priti portieri leton.

Kombëtarja e Kosovës U17 do ta mbyllë garën në këtë turne më 30 prill me ndeshjen kundër San Marinos, ekip të cilin Letonia e mundi në ndeshjen e parë me shifrat 7:0.