15:57 / E Enjte, 27 Maj 2021 / Blerim

Kosova U21 – Gjilani/ Ismet Munishi: Është krenari të luash kundër Kosovës

Skuadra e Superligës së Kosovës, SC Gjilani do të luaj një miqësore me Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U21.

Kombëtarja e Kosovës U21 ka filluar përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese të Evropianit 2023 kundër Andorrës. Përzgjedhësi Michael Nees e ka ndarë këtë grumbullim në dy faza. Në fazën e parë, prej 25 maj deri më 29 maj janë të ftuar 31 futbollistë dhe kjo fazë do të shërbejë si paraselektim, derisa më pas lista do të reduktohet në 24 futbollistë, të cilët do të jenë në grumbullim në fazën e dytë prej 31 majit, teksa ndeshja kualifikuese me Andorrën U21 zhvillohet më 8 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:00.

Gjatë një interviste për IndeksOnline, trajneri Ismet Munishi u shpreh i lumtur që do të luaj kundër ‘Dardanëve’ – duke treguar po ashtu se kush e bëri të mundur këtë miqësore.

“Federata më ka kontaktuar. Një mik i imi që është trajner aty. Normalisht që e kemi pranuar ftesën dhe është nderë dhe privilegj me lu kundër Kombëtares së Kosovës dhe me i ndihmu atyre për ndeshjet kualifikuese”, ka thënë Munishi

Shumë lojtarë në listën e Nees vijnë nga Superliga e Kosovës dhe ajo e Ligës së Parë – por ‘bie në sy’ mos prezenca e lojtarëve të Gjilanit.

Këtu në njëfarë mënyre, Munishi ia lë fajin vet klubit – duke thënë se të ardhmen është mirë për t’i dhënë hapësirë më shumë talenteve.

“Sigurisht se duhet ta kërkojmë brenda klubit. Edison Kqiku ka qenë, por tani nuk ka të drejtë të luaj. Normalisht që të ardhmen duhet të luajmë me talenta të rinj, t’i japim atyre rast. Që të kemi sa më shumë futbollistë që luajnë në Kombëtaren U21, në shpresat e Kosovës, përfundoi trajneri kosovar

Ndeshja mes Kosovës U21 dhe Gjilanit zhvillohet më 3 qershor (e enjte) nga ora 17 e 30 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ – Prishtinë./IndeksOnline/