20:52 / E Martë, 22 Maj 2018 / k.v

Kosovarët edhe për këtë vit preferojnë bregdetin shqiptar

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik bregdetit shqiptar. Edhe sivjet sikurse viteve të fundit, interesimi më i madh i qytetarëve të Kosovës për pushime është Shqipëria.

Sipas pronarëve të agjencive turistike, interesimi i qytetarëve për të vizituar Shqipërinë tashmë ka filluar.

Interesimi më i madh deri tani ka qenë për vizita në vikende, mirëpo ata theksojnë se tash kanë filluar edhe rezervimet për pushime javore.

Megjithatë, ata presin që rezervimet më të mëdha të shtohen pas Ramazanit.

Ruzhdi Kurtishaj nga agjencia “Sharr Travel” ka treguar se çmimet e biletave janë të ngjashme me ato të viteve të kaluar.

Sipas tij, këto çmime mund të pësojnë ndryshime vetëm nëse do ketë vendosje të tarifës rrugore në autostradën “Rruga e Kombit”.

“Çmimi i biletës kthyese për Sarandë është 25 euro. Për Durrës për momentin është 15, por nga 1 qershori do të ketë zbritje. Për Ulqin, çmimi i biletës kthyese është 15 euro. Ndërsa për Velipojë e Shëngjin 10 euro. Pra çmimi i biletave kthyese do të jetë i ngjashëm me ato të viteve të kaluara përderisa nuk ka ndonjë taks rrugore të autostradës. Në rast se do të ketë ndonjë ndryshim në autostradë do të ketë ndryshim edhe në bileta”, ka theksuar Kurtishaj.

Ndërsa sa i përket hoteleve, ai thotë se është rritur interesimi i tyre për të mirëpritur klientë nga Kosova, duke ofruar një shërbim më të mirë.

Por, sipas tij, çmimet për hotelet me 4 yje dhe 5 yje mund të jenë pak më të larta, për shkak se këto hotele kanë zgjeruar interesimin e tyre në vende të ndryshme evropiane.

Ndërsa sa i përket çmimit të hoteleve, sipas tij janë të ngjashme, përveç hoteleve me 4 dhe 5 yje.

Kurtishaj thotë se çmimi i tyre sivjet pritet të jetë pak më i lartë për shkak se e kanë zgjeruar shërbimin edhe për klientët e tjerë nga Evropa.

“Sa i përket hoteleve janë po thuajse me çmimet e njëjta me ato të viteve të kaluara. Por këtë vit hotelet janë më të interesuar që t’i mirëpresin klientët nga Kosova. Ka një shërbim më të mirë, ka një gastronomi më të renditur. Pra përgatitjet janë në fazën finale për të pritur qytetarët e Kosovës. Hotelet me 4 apo 5 yje kanë një lëvizje sa i përket çmimeve për shkak se kanë filluar të mirëpresin edhe klientë nga vendet e tjera të Evropës, pra hotelet po bëjnë marrëveshje edhe me agjencione të vendeve të tjera të Evropës”, ka shtuar ai.

Edhe Driton Bytyqi nga “Saba Travel” thotë se çmimet e biletave për në Shqipëri dhe Ulqin priten të jenë të njëjta.

Ndërsa, sa i përket interesimit ai thotë se kosovarët më shumë po drejtohen nga Shqipëria sesa në Ulqin, edhe për faktin se hotelet në Mal të Zi po janë më të shtrenjta.

“Interesimi më i madh është Shëngjini, Velipoja dhe Saranda dhe sivjet interesimi është më i madh. Tash për momentin po vazhdojmë në shërbim të vikendeve, pra me organizim. Për Ulqin ka interesim por vetëm me bileta jo edhe me hotele, për shkak se çmimi i hoteleve po është më i lartë se sa në Shqipëri, ku edhe kontaktet i kemi më të mira”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket çmimeve të hoteleve, sipas tij Durrësi ka pak rritje për shkak se edhe kanë rritur kualitetin e hoteleve.

“Durrësi ka pak rritje për shkak se është rritur edhe kualiteti i hoteleve, ndërsa Velipoja është e njëjta. Saranda është e njëjta, varet prej bashkëpunimit.

Ndërsa, Turqia edhe sivjet vazhdon të jetë destinacioni më i kërkuar sa i përket vendeve të largëta.

Sa i përket çmimeve për këtë vend janë pothuajse të ngjashme me ato të viteve të kaluara./Indeksonline/