08:44 / E Diele, 02 Gusht 2020

Kosovarët nuk respektuan masat kundër Covid-19 për Bajram

Pavarësisht thirrjeve të shumta për respektimin e masave, qytetarët e Kosovës nuk po e bëjnë këtë.

Shumë qytetarë në Gjakovë, Prizren e Mitrovicë Bajramin kishin vendosur ta festojnë pasdite.

Në disa raste ka intervenuar policia duke arrestuar persona, e në disa jo.

E për ndenjat e mbrëmshme ka folur edhe kryeministri i vendit.

Të premten u publikuan fotografi e video të shumë qytetarëve të mbledhur në kafiteri e sheshe.

Kështu dukej kryeqyteti paraditen e së premtes, gjatë festës së Kurban Bajramit.

Nëpër sheshet e Prishtinës, nuk u panë njerëz, duke respektuar kështu thirrjen e institucioneve që të kursejnë vizitat e daljet.

Por, gjithçka ndryshoi pasdite.

Nëpër qytete tjera, qytetarët u mblodhën nëpër kafiteri e sheshe.

Në disa fotografi të realizuara në qytetin e Gjakovës, Mitrovicës e Prizrenit shihet numër i shtuar i njerëzve që kanë dalë për të festuar, pa respektuar asnjë nga masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

Ata duket se nuk janë penguar nga organet e rendit.

Por, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në dy raste në Komunën e Gjakovë, aty ku nuk janë zbatuar dispozitat gjatë pandemisë.

Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Një tjetër person është arrestuar në Gjakovë sepse ka ushtruar veprimtarinë në lokal.

Edhe në Mitrovicën e Jugut Policia ka arrestuar dy persona që po ushtronin veprimtarinë në pishinë.

Pos Policisë, në lidhje me këto tubime ka reaguar edhe i pari i Qeverisë, Avdullah Hoti.

Hoti, përmes një statusi në Facebook, të cilin pas publikimit e ndryshoi, pohonte se ata që kanë marrë pjesë në ato tubime janë tashmë të infektuar.

Kryeministri tutje ka thënë se pas dy javësh qindra qytetarë do të kërkojnë hospitalizim, si pasojë e tubimeve të së premtes.