75 Mall Live Search
13:30 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

KQZ-ja ende pa anëtarë, vazhdon të jetë jashtë funksionit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga gjykatat kushtetuese të shteteve anëtare të Komisionit të Venecias, përkitazi me kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Ky institucion që nga prilli është jashtë funksionit ngase nuk janë emëruar ende anëtarët e rinj.

Për ta sqaruar paqartësinë e përfaqësimit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, presidenti Hashim Thaçi në qershor ka kërkuar intepretim nga Gjykata Kushtetuese. Atë kohë kjo gjykatë nuk kishte kuorum, por tash e dy muaj, është plotësuar me gjykatësit e rinj. Por, përgjigje presidentit nuk i ka kthyer ende. Zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula tha se kërkesa është proceduar nga gjykata dhe aktualisht është në procedurën e shqyrtimit.

“Përkitazi me këtë lëndë, gjykata gjithashtu u është drejtuar me disa pyetje edhe gjykata kushtetuese të shteteve anëtare të Komisionit të Venecias dhe ende në pritje të përgjigjeve për të bërë analizën krahasimtare, duke u bazuar në përvojat dhe praktikat e tyre në rastet e ngjajshme”, tha Dula.

Se kur do të kthehen këto përgjigje, nuk ka një afat të caktuar, e deri atëherë, KQZ-ja do të vazhdojë të mbetet jashtë funksionit. Kreu i këtij institucioni, Valdete Daka thotë se pa anëtarë, KQZ-ja nuk mund të funksionojë.

“S’jemi duke funksionuar, tash për tash, nuk ka mbledhje të KQZ-së, kur s’ka anëtarë, natyrisht se nuk mund të funksionojë. Në momentin që emërohen anëtarët fillon të funksionojë”, tha Daka për Radio Kosovën.

Në fakt, që nga prilli, KQZ-ja ka vetëm kryetare, por jo edhe anëtarë, për shkak të paqartësisë që ka krijuar kërkesa e grupeve parlamentare të formuara pas konstituimit të Kuvendit, që të kenë hise në KQZ. Politologu, Ramush Tahiri thotë se kjo tregon papërgjegjësinë e institucioneve dhe ndikimin politik në institucione.

“Në këtë rast edhe Gjykata Kushtetuese është shumë e qartë, sepse nuk është çështje që ka të bëjë me sferën kushtetuese, më shumë ka të bëjë me sferën administrative që rregullohet me ligj dhe me rregulloren e Kuvendit. Ndërsa mosplotësimi është shkelje ligjore, sepse partitë duhet t’i dërgojnë emrat dhe duhet të jetë funksionale KQZ-ja në çdo moment”, tha Tahiri për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, sipas Tahirit, kurdo që shpallen zgjedhjet e reja, nuk ka problem për organizimin e tyre, ndonëse nuk janë emëruar anëtarët e rinj. Por, kryetarja e KQZ-së, e mohon një gjë të tillë, duke thënë se edhe aktualisht ky institucion ka mbetur i bllokuar, duke mbetur shumë punë të pakryera, sikur që janë rreth 20 kërkesa për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendeve të ndryshme komunale.
 

Temat: