KQZ-ja miraton listën e qendrave të votimit për zgjedhjet lokale, kaq qytetarë kanë të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka miratuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, për këtë proces zgjedhor në 38 komuna do të jenë 945 qendra votimi në mbarë Kosovën.
KQZ-ja deklaron se 907 nga qendrat do të jenë për votim të rregullt, ndërsa 38 qendra do të jenë për votim me kusht.
KQZ-ja gjithashtu ka përpiluar edhe listën preliminare të votuesve, që përmban 2,067,998 votues.
Kjo listë ka 7,870 votues më pak në krahasim me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet Lokale më 12 tetor është 33,540 votues, prej të cilëve:
• 26,654 votues konsiderohen të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale 2025; dhe
• 6,886 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës është 41,410. Ky numër përfshin:
• 6,276 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
• 340 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC;
• 2,967 votues të larguar si persona të vdekur, pas krahasimit të ekstraktit të ARC me regjistrin e pranuar nga Departamenti i Pensioneve;
• 117 votues të larguar për shkak të marrjes së së drejtës së zotësisë së veprimit, të evidentuar nga listat e pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
• 471 votues mbi 100 vjeç, të larguar pas krahasimit ndërmjet të dhënave të ekstraktit me të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga regjistrimi i popullsisë 2024;
• 31,239 votues të larguar nga ARC, pasi janë kategorizuar si persona të paverifikuar — këta figurojnë në regjistrin e Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve (DPD), por nuk figurojnë në regjistrin e Departamentit të Gjendjes Civile (DGjC).