75 Mall Live Search
10:11 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / KV

KQZ-ja pret përfundimin e afatit të ankesave para certifikimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të afatit për paraqitjen e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të shpallura, më 27 qershor 2026.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të afatit të ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë shpallur, më 27 qershor 2026. Afati i ankesave përmbyllet sot (e hënë, 29 qershor 2026) në orën 12:00”, ka thënë ai.

Elezi, ka deklaruar se, nëse nuk parashtrohet asnjë ankesë, KQZ-ja është e gatshme të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor në këtë fazë.

“Nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ-ja është e gatshme për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor sa i përket kësaj pjese. Ndërkaq, në rast se do të ketë ankesa, KQZ-ja do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershor”, ka shtuar ai.