KQZ publikon të dhënat preliminare të pjesëmarrjes në votim: 40,04% apo 789 172mijë votues

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se sipas të dhënave preliminare nga 2,297 vendvotime, 40.04% e qytetarëve kanë votuar deri tani, një ulje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Ai falënderoi qytetarët që morën pjesë dhe institucione të tjera që kontribuuan gjatë procesit, duke përfshirë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit. Tani ka filluar numërimi i fletëvotimeve.
“Ju njoftojmë se procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës është përmbyllur në kohën dhe sipas parashikimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në përgjithësi, sipas raportimeve dhe informacioneve që kemi pranuar gjatë gjithë ditës së sotme, procesi zgjedhor është zhvilluar në rregull dhe pa probleme që do ta cenonin integritetin e tij. Gjithashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 2,297 vendvotime nga gjithsej 2,533, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 9 shkurt 2025, kane votuar 40.04 % apo 789 172mijé votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës te vitit 2021, kishin votuar 46.90% apo 827 mijë e 984 votues”, tha Elezi.
Në këtë kohë, ai njoftoi se ka filluar numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, andaj sipas tij anëtarët e Këshillave të Vendvotimit duhet të kryejnë me përpikëri rolin e tyre dhe të numërojnë saktë çdo votë të qytetarëve.
“Në emër te KQZ-së, falënderojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që morën pjesë në votime duke ushtruar te drejtën e tyre kushtetuese. Gjithashtu, falënderojmë edhe këshillat e vendvotimeve për angazhimin e tyre gjatë ditës. KQZ falënderon edhe institucionet tjera për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të madh gjate ditës se sotme, si Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet tjera”, theksoi ai.