20:47 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020

Krasniqi i përgjigjet koalicionin qeveritar: Merruni më pak me fjalë e më shumë me punë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi i është përgjigjur spekulimeve rreth përfshirjes së PDK-së në qeveri.

Ai ka porositur koalicionin qeveritar që të flasin më pak e të punojnë më shumë.

Nëpërmjet një deklarate në faqen e tij në Facebook, zyrtari i lartë i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato.

Ai ka thënë se kalkulimet dhe diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së but, ndërsa ka përsëritur se PDK nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi i saj më 6 tetor se do të jetë në opozitë.

Deklarata e plotë e nënkryetarit Memli Krasniqi:

Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre.

Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara.

Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar./Indeksonline/