13:03 / E Hënë, 07 Tetor 2019 / indeksADMonline

Krasniqi: Mbetet të shihet se a do të heqë dorë LVV-ja nga dhuna

Dje në vendin tonë janë mbajtur zgjedhjet e përkohshme parlamentare.

Sovrani nxori si fituese Lëvizjen Vetëvendosje, që mori 26,00 për qind të votave, duke lënë të dytën Lidhjen Demokratike, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, duke komentuar këto rezultate ka thënë se nëse LVV i mbanë aktive prirjet hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë e ideologjikë, po edhe ndaj faktorëve ndërkombëtar, ashtu siç i kishte ndër vite, mund të shkaktojë polarizime dhe konflikte serioze në politikë e në shoqëri.

“Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 sollën ndryshimin e roleve të partive kryesore politike, dy partitë opozitare LVV dhe LDK i fituan zgjedhjet, ndërsa partitë që ishin në qeverisje, PDK, AAK dhe NISMA i humbën ato. Shkaqet e ndryshimit janë të shumta. Disa prej tyre i heqin fillet që nga pozita neokoloniale e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar. Ndërsa, disa të tjera nga qeverisja e tejzgajtur e një partie (PDK) nga arroganca e ish disa pushtetarëve, nga keqqeverisja, nga ndryshimet demografike, nga ndryshimet e pritshmërisë së qytetarëve, etj. Sidoqoftë, rezultati është ky që është, një përmbysje e koalicionit të deritashëm qeverisës dhe hapja e mundësisë për një qeveri të re, të udhëhequr nga LVV”.

Krasniqi thotë se që nga sot kurreshtja mbetet e lartë lidhur me qeverinë e re dhe drejtimet e politikave të saj, kur dihet se LVV në opozitë ka përdorur dhunën ndaj institucioneve, individëve dhe pronës shtetërore e private, si mjet brutal për arritjen e qëllimeve politike.

“Mbetet të shihet se a do të heqë dorë LVV nga dhuna, tash që i ka realizuar qëllimet politike, me anën e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, bindja ime është se po të mos e përdorte dhunën ashtu si e ëprdori, një dhunë lemeritëse dhe shkatërruese për imazhin e vendit, LVV e ka pasur rrugën të hapur të vinte në pushtet në vitin 2017, por pikërisht taktikat e dhunës e patën lënë jashtë qeverisë në atë vit. Në zgjedhjet e 6 tetorit LVV përdori taktika krejt të tjera, u shpërfaqë si parti e moderuar, hoqi dorë nga elementët kryesorë të programti të vet dhe kjo e ndihmoi të dilte fituese. Por, tash i mbetet që të bëjë një deklaratë distancuese nga dhuna si mjet për arritjen e qëllimeve politike, që ta finalizojë fitoren dhe ta skicojë një program të besueshëm qeverisës. Këtë gjë duhet ta bëjë para se ta marrë mandatin qeverisës, sepse mundësia e përdorimit të dhunës si parti qeverisëse është shumë më e madhe, se sa kur ishte në opozitë”.

Ai tutje shton se partneri potencial i VV-së, LDK-ja e ka për obligim t’ia kërkojë LVV-së një aso deklarate, pasi pikërisht kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka qenë caku kryesor i sulmeve të dhunshme në vitet kur ishte kryeministër.

“Nëse LDK hyn në koalicion me LVV me atë kompleks inferioriteti, ajo kurrë nuk do të arrijë ta frenojë mujsharinë revolucionare të LVV dhe veçmas ambicien problematike të kreut të saj. Në atë rast LDK do të duket si patericë e LVV, siç ishte edhe PDK si patericë e Ramush Haradinajt, në qeverinë së cilës sapo iu dha lamtumira”./Indeksonline/