Krasniqi: Politikat mbështetëse po e bëjnë më të lehtë investimin nga diaspora
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ishte pjesë në panelin e Samitit të Diasporës, ku ka folur mbi rëndësinë e zhvillimit lokal dhe rural.
Sipas Krasniqit, Kosova më nuk e sheh diasporën vetëm si burim remitancash, por edhe si partner strategjik për investime e inovacion, shkruan IndeksOnline.
“Komunat tona po transformohen tash më në hapësira më të hapura, transparente dhe të qasshme për investitorët, ndërsa digjitalizimi dhe politikat mbështetëse po e bëjnë më të lehtë investimin nga diaspora” deklaroi Krasniqi.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Në panelin Samiti i Diasporës kam theksova rëndësinë e zhvillimit lokal dhe rural i cili nuk mund të kuptohet pa rolin e diasporës.
Kosova sot nuk e sheh më diasporën vetëm si burim remitancash, por si partner strategjik për investime, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Përmes instrumenteve si “Dritarja për Investime të Diasporës”, mbështesim kalimin nga konsum në prodhim dhe nga mbështetje familjare në zhvillim ekonomik afatgjatë.
Komunat tona po transformohen tash më në hapësira më të hapura, transparente dhe të qasshme për investitorët, ndërsa digjitalizimi dhe politikat mbështetëse po e bëjnë më të lehtë investimin nga diaspora.
Nga energjia te teknologjia e deri te agroturizmi, potenciali është real dhe historitë e suksesit tashmë po e dëshmojnë këtë.
Diaspora nuk është vetëm jashtë vendit. Ajo është pjesë e zhvillimit tonë të përbashkët.

