17:07 / E Mërkurë, 09 Nëntor 2022 / LB

Krasniqi: Publikimet për planin franko-gjerman nuk besoj që janë të vërteta

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se nga publikimet qe ka parë për planin franko-gjerman nuk beson që janë të vërteta.

Tutje, ai shprehet mjaft i shqetësuar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se ka një potencial për përshkallëzim të situatës.

“Publikimet që i kam parë nuk besoj qe janë vërtet plani franko-gjerman andaj janë në vazhdën e spekulimeve që kanë qarkulluar tash e sa javë. Zhvillimet në veri janë shqetësuese dhe nga ajo që po shohim kanë një potencial për të përshkallëzuar tutje. Këto veprime është dashur të mendohen në një sekuencë e cila dërgon në një epilog të qartë dhe fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po duket se ka qenë si rast këtë herë. Është obligim i qeverisë ta trajtojë këtë gjendje dhe të koordinohet me partnerë ndërkombëtar dhe në radhë të parë me ShBA për të rivendosur rendin publik dhe sovranitetin. Do të ishte e pafalshme që krejt ai progres që është arritur në integrimin e komunitetit serb në institucione duke përfshirë policinë e gjyqësorin të zhbëhet kaq shpejt” tha ai, për EO.

Sipas tij, është obligim i qeverisë që ta trajtojë këtë situatë me seriozitetin me të madh e ti marr për bazë këshillat e ShBA-së, për gjetjen e zgjidhjes që nuk rrezikojnë përkeqësimin e situatës në veri të vendit.

“Unë besoj që qeveria duhet ti trajtojë këto zhvillime seriozisht e ti marr për bazë këshillat e ShBA dhe të ofrojë zgjidhje që e ruajnë sovranitetin në pjesën veriore të vendit. Unë tashmë nuk po shoh që ka diskutim tjetër përveç situatës në veri dhe mendoj që është urgjenca që kemi para nesh. Të gjejmë mënyra bashkëpunimi që e ruajnë sovranitetin. Unë jam deklaruar që qeveria nuk ka një plan dhe kjo është arsye shtesë dhe i bëjë ftesë qeverisë ta trajtojë këtë situatë me seriozitetin më të madh e të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve që nuk e rrezikojnë përkeqësimin e situatës në veri. Nuk kam marrë informacion dhe nuk mund të them a ka qeveria dakordim me këtë situatë por është obligim i qeverisë të mbajë rendin publik” tha ai.