17:35 / E Martë, 26 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kravatat që iu dorëzuan Haradinajt bëjnë bujë në mediat ndërkombëtare (Foto)

Rreth 300 kravata janë vendosur në rrethojën e Qeverisë së Kosovës nga një grup i qytetarëve dhe organizatorëve të “Beyond the Walls”, si dhuratë për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë ka rritur 100 për qind pagën e tij, e që tani e merr 2950 euro.

E gjithë kjo u bë pasi Haradinaj kishte arsyetuar këtë rritje duke thënë se tash si kryeministër i vendit ka nevojë për blerje të kravatave e këmishëve.

Për këtë aksion kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare. Në mediet prominente të Republikës së Irlandës dhe Francës kanë shkruar për kravatat që i janë dorëzuar kryeministrit Haradinaj.

Mediumi francez La Croix shkruan se “300 kravata i janë dorëzuar kryeministrit të Kosovës pas vendimit për të dyfishuar pagën e vet”.

Ndërkaq, mediumi irlandez Independent.ie, ka shkruar se qindra kravata i janë dorëzuar sot kryeministrit të Kosovës, para objektit të qeverisë në Prishtinë.