09:15 / E Premte, 12 Maj 2023 / L K

Krejt çka tha Lajçak gjatë qëndrimit në Prishtinë e Mitrovicë

Dje, ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak qëndroi në Prishtinë e Mitrovicë, ku pati mjaft takime.

Lajçak, gjatë qëndrimit në Prishtinë ka shprehur qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi modelin kroat të pakicave, nëse ky model mund të funksionojë edhe në Kosovë.

“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, ka deklaruar ai para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

I pyetur rreth drafteve të kundërta të prezantuara nga Ekipi Menaxhues që Kryeministri Kurti e barazoi me “Republika Srpska” dhe vizionit të bazuar në modelin kroat, Lajçak tha se do të gjendet një mes.

“Kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të bëjmë”, tha ndërmjetësi evropian.

Lajçak gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti për hapat tutje në rrugën drejt normalizimit.

Ai po asht ka bërë të ditur se të hënën në Bruksel do të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh.

I pyetur se a mund të vijë deri te tensionimi i situatës në veri, pas betimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, Lajçak tha se janë dy rrugë përpara: normalizim ose konfrontim, dhe se kjo e fundit nuk është në interes të askujt.

“Mund të kemi normalizim ose konfrontim dhe ne duam të përkushtohemi plotësisht në normalizim. Tensionet nuk janë në interes të askujt”, u shpreh Lajçak.

E nga Mitrovica, Lajçak ka shprehur shqetësim lidhur me situatën në veri.

Të enjten, Lajçak u takua me përfaqësues të veriut ku tha se u shqetësua nga ajo çka dëgjoi.

Ai bëri thirrje që vëmendja të jetë te normalizimi i raporteve dhe që të evitohet përshkallëzimi.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me përfaqësues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në Twitter.

Gjatë vizitës së tij, emisari evropian takoi kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën si dhe përfaqësues nga Lista Serbe, në mesin e të tjerëve.

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak kaloi me këmbë edhe në urën e Ibrit, ndërsa tha se çështja e hapjes së saj, duhet të zgjidhet përmes dialogut, me pajtimin e të dy palëve.

“Çështja e hapjes së urës duhet të zgjidhet me dialog, ku palët të arrijnë një marrëveshje. Gjithçka duhet të zgjidhet me dialog”, tha Lajçak.

Gjatë ditës së sotme, Lajçak do të qëndrojë për vizitë në Beograd.