12:50 / E Hënë, 15 Mars 2021 / k.v

Krijimi i institucioneve/ PDK kërkon nga Kurti e Osmani përgjigje për dhjetë tema

Ka përfunduar takimi i parë konsultues për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë diskutuar më shumë se një orë e gjysmë me u.d. të kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Enver Hoxhaj ka thënë se kishin një takim shumë të mirë me Kurtin dhe Osmanin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.

“Ishte një takim pas kërkesës sonë se formimi i institucioneve mund të ndodhë vetëm pas një dialogu. Qasja jonë në takim ka qenë konstruktive, por ka qenë edhe parimore. Kemi pasur kërkesa dhe çështje të qarta të cilat i kemi ngritur në takim. Së pari ne mendojmë se në procesin e krijimit të institucioneve para se të flitet për personin se kush duhet të jetë president, duhet të flitet për parime”, ka thënë Hoxhaj.

Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe sipas Hoxhajt vendi ka nevojë për liderë institucionalë që përfaqësojnë popullin.

“Pas dhjetë vjetësh ky është takimi i parë që ndodh midis Qeverisë së ardhshme dhe opozitës dhe kjo ndodh falë kulturës së PDK-së. Për herë të parë Qeveria dhe opozita janë takuar për të diskutuar për formimin e institucioneve, konkretisht për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Hoxhaj.

Temë kryesore në takim ka qenë bashkëpunimi për politikën e jashtme.

“Ne kemi kërkuar nga Kurti e Osmani qartësi në qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme. Qeveria ka rol shumë të madh në politikën e jashtme”, ka thënë ai duke shtuar se sjellja e PDK-së në raport me krijimin e institucioneve të vendit, para se ta marrë PDK-ja vendimin e saj, varet prej dhjetë qëndrimeve që Hoxhaj i ka ngritur në takim.

Dhjetë temat për të cilat Hoxhaj ka kërkuar sqarime dhe përgjigje nga Kurti e Osmani: Distancimi i Kurtit nga dhuna që përdorte ndaj institucioneve, çfarë do të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi, për marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe, cili është qëndrimi i tyre për demarkimin e kufitit Kosovë-Mali i Zi, për marrëveshjen e Uashingtonit, atë të mini-shengenit, çfarë do të ndodhë me lobimin për njohje të reja dhe për reciprocitetin me Serbinë./IndeksOnline/