15:26 / E Shtunë, 18 Maj 2019 / indeksADMonline

Kripto-monedhat në Shqipëri në fokus të edukimit financiar

Banka e Shqipërisë do të ketë një vëmendje të shtuar në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut për riskun e parasë virtuale por edhe për edukimin e përgjithshëm mbi produktet bankare dhe konceptin e “lekut të ri” dhe lekut të vjetër.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën ku i kërkon BSH-së, “Të vijojë punën për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rreziqet që paraqet  përdorimi dhe investimi  në  kripto-monedha  (para  virtuale), si dhe të marrë masa për parandalimin e lindjes ose zhvillimit në tregjet financiare, të skemave spekulative mashtruese në kripto-monedha, duke instaluar një mekanizëm edhe për matjen e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese”.

Gjithashtu citon rezoluta, “BSH-ja, duhet të nxisë politikat e bankave në lidhje me edukimin e publikut për produktet bankare, si dhe të monitorojë, të verifikojë dhe të standardizojë procedurat bankare të ofrimit të shërbimeve bankare në përgjithësi. Të shqyrtojë efektet e veprimtarive të ndërmarra në vite, me qëllim rritjen e kuptueshmërisë së politikës monetare dhe forcimin e besueshmërinë publike të institucionit, për sa i takon  fushatave sensibilizuese të deklaruara dhe të raportuara në kuadër të edukimit të publikut në lidhje me termat “lek i ri” dhe “lek i vjetër”, duke  instaluar një mekanizëm për matjen  e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese”.