17:51 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerim

Krishlindje në periudhë pandemie, ja si pritet të festohet në Europë

Masat e rrepta anticovid kanë paralizuar çdo lëvizje në të gjithë Europën, duke u bërë pengesë edhe për festimet e Krishtlindjeve.

Pikërisht ky sezon festiv i ka vendosur qeveritë në pozita të vështira, për të marrë vendime në lidhje me lëshimet që do të kryhen.

Italianët ndër vite kanë zhvilluar traditën e të shkuarit për ski në vende malore, ndërkohë që diçka e tillë është ndaluar kategorikisht sivjet nga kryeministri Giuseppe Conte. Frika nga mbipopullimi, ka detyruar kreun e shtetit italian që të lobojë për qëndrimin e mbyllur të këtyre zonave.

Ndërkohë që në Francë, vetëm ditën e djeshme presidenti Emmanuel Macron njoftoi që si pasojë e uljes së numrit të rasteve të reja, nga 28 nëntori do të fillojë lehtësimi i masave.

Dyqanet, teatrot dhe kinematë do të rihapen përpara Krishtlindjeve, teksa francezët do të lejohen të festojnë me familjarët e  tyre. Sakaq shkollat dhe restorantet do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri më 20 janar.

Më strikte është treguar Gjermania, ku Kancelarja Angela Merkel ka njoftuar se nuk do të lejohen më shumë se 5 veta në grumbullime, ku fëmijët nën 14 vjeç nuk përfshihen në këtë ligj. Lëshimi i vetëm do të bëhet në datat 23 dhjetor deri më 1 janar. Mbyllja në Gjermani do të vijojë deri më 20 dhjetor.

Spanja ka bërë me dije se do të zhvillohet një eksperiment ndryshe, ku nuk do të lejohen festimet me grupe me më shumë se 6 persona. Autoritetet kanë këshilluar që festimet të kryhen në taracat e restoranteve apo në ambiente të hapura.