08:58 / E Premte, 02 Dhjetor 2022 / B O

Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar

Tronditje dhe tmerr. Dhimbje dhe mllef. Mërzi dhe dëshpërim. Zemërim dhe pafuqi.

Të gjithë kosovarët, pa përjashtim, i kanë pasur të gjitha këto ndjenja të mërkurën në mbrëmje, me të dëgjuar një herë, e pastaj, me të parë pamjet e rënda në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë, me një trup femre të pajetë, të mbuluar me një çarçaf të bardhë.

Menjëherë do të merrej vesh prej të gjithë neve se bëhej fjalë për një shtatzënë, e cila të nesërmen ka pas të sjell në jetë një foshnjë.

Në vend të një jete të re, u bëmë dëshmitarë të dy vdekjeje në një vrasje që të lë pa fjalë, teksa në vete, secili prej nesh i ka bërë në këto dy ditët e fundit dhjetëra pyetje për gjithë këtë ngjarje, ku ajo më kryesorja, gjithmonë në këto raste shfaqet kumbueshëm: Si është e mundur të vritet një shtatzënë?

Çfarë u kuptua në këto dy ditët e kaluara, kur publiku kosovar mori një mori informatash për kobin e një gruaje 35 vjeçare, ta kthen në vëmendje atë romanin e njohur të shkrimtarit të madh kolumbian Gabriel Garcia Marquez, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, me një motërzim që i qëndron fort rrëfimit të Hamide Magashit. Pra, këtu bëhet fjalë për “Kronikën e një vrasjeje të paralajmëruar”.

Rëndom thuhet ndër ne, sa herë ndodh një e keqe, që “kur të thyhet qerrja, gjenden udhët”.

Por kjo thënie nuk qëndron fare në rastit të Hamide Magashit.

“Udhët” kanë qenë të qarta dhe të mundshme me ditë dhe me javë para se të vritej nga ish-burri i saj. Policia dhe gjyqësia e kanë ditur se jeta e saj është peng i një burri që mendon se jeta dhe vdekja e Hamide Magashit janë pronë e tij.

Ndodhë që është e pamundur të parandalohet një krim i madh. Lidhen dhe pështillen rrethanat, bëhen lëmsh fatet njerëzore, të gjitha këtyre u shtohen edhe rastësitë, dhe ngjanë apo shpërthen një tragjedi që mbulon në zi familje të tëra.

Por ky nuk ishte një rast i tillë. Policia dhe gjyqësia kanë pasur informata të mjaftueshme nga vet e ndjera, nga familja e saj, që mund të ndodhë edhe më e keqja nëse nuk ndalet disi ish-burri i saj. Janë ndërmarrë masat preliminare për mbrojtjen e saj, por në fund, ai dështimi kryesor, që viktima e një dhune të vazhdueshme familjare t’i ikë përballjes me dorasin, ndodhi këtë të mërkurë në Prishtinë, në oborrin e Qendrës spitalore të Kosovës.

Është e kuptueshme dhe e justifikueshme këmbëngulësia e qytetarëve të Kosovës për përgjegjësinë evidente për dështimin e autoriteteve lokale policore dhe gjyqësore për shpëtimin e Hamide Magashit. Këtu ka faj, këtu ka përgjegjësi, këtu duhet të ketë edhe ndëshkim. Nuk ka dyshim.

Megjithatë, kjo me gjasë është vetëm maja e asaj akullnaje. Maja që shihet. Maja që mund dhe që duhet të klasifikohet. Por ajo pjesa shumë më e madhe, e cila nuk venerohet dot, mbetet aty, e grumbulluar për vite dhe decenie të tëra, në rrjedhat dhe zhvillimet e shoqërisë kosovare, të cilat në masë të madhe janë të pa-analizuara, të pa-shqyrtuara, të pa-klasifikuara.

Edhe shoqëria e ka një ADN të veten. Natyrisht, nuk është krejtësisht e saktë, si në rastin e një njeriu. Por një identitet i përafërt, goxha i saktë mund të zbardhet në një shoqëri. Megjithatë, ndër ne nuk duket që ka përpjekje të kësisojta, të cilat janë më se të domosdoshme për të kuptuar mirë se cilat janë sprovat kryesore të një shoqërie, si duhet të adresohen ato, si duhet të zgjidhen problemet kyçe të kësaj shoqërie.

Një (problem) i tillë tash e sa vjet del të jetë dhuna në familje, e cila brenda një jave na u shfaq me dy vrasje të rënda të grave nga burrat dhe me tri jetë të humbura.

Çfarë po shihet është që i gjithë aparati ligjor, parandalues dhe ndëshkues (policor dhe gjyqësor), po del i mangët dhe me të meta për ta ulur ndjeshëm këtë fenomen.

Njëlloj po na shfaqen si të pamjaftueshme përpjekjet politike dhe mediatike për ta rritur në mënyrë sinjifikative ndjeshmërinë në shoqërinë tonë për këto dukuri tepër të rënda të cilat po na godasin të gjithë neve.

Shteti dhe shoqëria nuk kanë tjetër, pos të përballen si duhet me këto të këqija.