21:24 / E Shtunë, 05 Shtator 2020 / indeksADMonline

Kryedoktoresha e Kanadasë: Mbani maskë gjatë seksit dhe evitoni puthjet

Zyrtarja e parë mjekësore e Kanadasë ka thënë se për të evituar përhapjen e koronavirusit gjatë seksit, çiftet duhet të evitojnë puthjet dhe të marrin në konsideratë mbajtjen e maskës.

Ndërsa për të shmangur më së miri shanset e infektimit, Dr Theresa Tam shtoi se opsioni më i mirë është ai i seksit “solo”.
Komentet e saj u bënë shpejt objekt satire në rrjetet sociale.

Tam shtoi më tej se nuk ka shanse të infektimit me koronavirusi nga lëngjet seksuale trupore si mashkullore e femërore, por partnerët shtojnë në maksimum rrezikun me anë të puthjeve.

“Ashtu si dhe në aktivitete të tjera të rrezikshme sa i përket Covid-19 edhe në këtë aspekt ka gjëra që mund të minimizojnë rrezikun e infektimit apo të përhapjes së virusit”, tha ajo.

Ndaloni puthjet, evitoni afërsinë fytyrë me fytyrë, mbani maskë që mbulon gojën dhe hundën, si dhe monitoroni veten e partnerin tuaj për simptoma të mundshme para aktivitetit seksual, tha mes të tjerash Tam.

“Aktiviteti seksual me rrezik më të ulët sa i përket Covid-19, është ai kur jeni vetëm,” tha ajo.

Tam shtoi se shëndeti seksual është një pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm. “Kanadezët mund të gjejnë mënyra të ndryshme për të shijuar intimitetin njëkohësisht duke u mbrojtur gjatë procesit”.

Kanadaja ka raportuar deri tani 129,425 raste me Covid-19 dhe 9,132 vdekje. Rastet e reja ditore janë të ulëta, edhe pse është parë një rritje relative e infeksioneve në provincat perëndimore të vendit.