10:49 / E Enjte, 22 Dhjetor 2022 / k.v

Kryeinspektori i AKI-së ishte pjesë e Bordit të Postës që shkarkonte zyrtarët kryesor të ndërmarrjes

Kujtim Shala dje është emëruar Inspektor i Përgjithshëm në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Njoftimin e shkurtë, për njërën ndër pozitat kryesore në AKI e ka dhënë presidenca mbrëmë përmes një komunikate për media.

Në komunikatë thuhej se Shala deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por aty nuk ceket se i njëjti nga Qeveria ‘Kurti 1’ ishte emëruar me 2 prill 2020 anëtar i Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës.

Shala së bashku me kolegët e tij kishin shkarkuar njerëzit kryesor të ndërmarrjes, kryeshefin, zyrtarin kryesor të Financave, Sekretarin edhe auditorin e brendshëm.

Katër zyrtarët e lartë të Postës pas shkarkimit iu drejtuan Gjykatës për ta kundërshtuar vendimin e bordit, ku lënda ndaj tyre akoma është e hapur.

Në anën tjetër në ueb-faqen e AKI-së ende figuron si inspektor, Burim Ramadani. Për të mbrëmë u tha se ka ofruar dorëheqjen. IndeksOnline ka tentuar të kontaktoi me Burim Ramadanin, por i njëjti nuk ishte i qasshëm në telefonin e tij.

Ramadani ishte në këtë pozitë që nga viti 2019.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z.Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ata kanë falënderuar z.Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Detyrat e Kryeinspektorit të AKI-së
Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë emërohet nga Presidenti dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës. Inspektori i Përgjithshëm inspekton aktivitetet e AKI. Është përgjegjësi e Inspektorit të Përgjithshëm të ndihmoj Drejtorin të jetë i informuar në mënyrë të plotë dhe të vazhdueshme për problemet potenciale në aktivitetet e AKI, me qëllim të promovimit të ekonomisë, efikasitetit, efektivitetit dhe evitimit të çfarëdo shkeljeje ligjore.