75 Mall Live Search
12:16 / E Premte, 04 Korrik 2025 / mp

Kurti dhe Nagavci vizituan kampin veror edukativ të “Balkan Sunflowers Kosova”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan kampin veror edukativ të organizuar nga “Balkan Sunflowers Kosova” (BSK), ku po marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Ky kamp veror pesëditor, i cili po realizohet në Parkun e Gërmisë, synon kombinimin e aktiviteteve edukative, rekreative dhe sociale në një mjedis të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Aty marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga qendrat e organizatës joqeveritare BSK në Fushë-Kosovë, Graçanicë dhe Plemetin. Aktivitetet zgjasin tri orë në ditë.

Kurti dhe Nagavci takuan dhe bashkëbiseduan me fëmijët pjesëmarrës në kamp dhe u njoftuan për aktivitetet dhe trajnimet që zhvillojnë. Me rastin e vizitës, kryeministri në detyrë dhe ministrja në detyrë morën mirënjohje nga organizatorët, përkatësisht nga drejtoresha ekzekutive e BSK-së për mbështetjen e dhënë në realizimin e kampit veror dhe për vizitën sot.

Ministria në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me kërkesë të organizatës BSK e ka mbështetur financimin e plotë të kampit sivjet.